Kristian Prenga “trondit” botën e boksit: Joshua bëri gabim të rëndë që më zgjodhi mua si kundërshtar
Boksieri Kristian Prenga ka ndezur entuziazmin e sportdashësve shqiptarë, pasi njoftoi përmes rrjeteve sociale një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e sportit shqiptar.
Më 25 korrik, në Riad të Arabisë Saudite, Prenga do të ngjitet në ring për t'u përballur me ish-kampionin e botës, Anthony Joshua, në një duel që pritet të tërheqë vëmendjen e të gjithë botës së boksit.
Kjo sfidë konsiderohet një moment historik jo vetëm për karrierën e Kristian Prengës, por edhe për sportin shqiptar. Vetë boksieri shqiptar është shprehur i bindur se kjo do të jetë nata që do të ndryshojë gjithçka.
“Anthony Joshua është një boksier i shkëlqyer, por bëri një gabim të rëndë duke më zgjedhur mua si kundërshtar. Ky është ndeshja që ndryshon gjithçka për mua dhe për të", ka thënë fillimisht Prenga, transmeton Telegrafi.
Pavarësisht emrit të madh me të cilin përballet, Prenga thekson se nuk ndihet aspak i nënvlerësuar. Përkundrazi, ai e sheh këtë situatë si një avantazh.
“E di që kanë plane të mëdha pas kësaj ndeshjeje, e di që po më anashkalojnë dhe kjo më pëlqen. Do t'ua prish planet dhe do ta tronditë botën në korrik në Arabinë Saudite", përfundoi boksieri shqiptar.
Kristian Prenga hyn në këtë duel me një rekord mbresëlënës prej 20 fitoresh dhe vetëm 1 humbjeje, ndërsa të gjitha fitoret e tij janë arritur me nokaut, një statistikë që e vendos atë ndër sulmuesit më të frikshëm të peshave të rënda.
Përballja me Joshuan do të jetë prova më e madhe e karrierës së boksierit shqiptar, por edhe një mundësi e artë për të hyrë në historinë e sporteve botërore. Nëse arrin ta befasojë britanikun, Prenga jo vetëm që do ta realizojë ëndrrën e tij, por do të shkruajë një kapitull të ri për sportin shqiptar.
Sytë e tifozëve shqiptarë dhe botës së boksit janë përqendruar tani te 25 korriku në Riad, ku Kristian Prenga synon të bëjë atë që pak kush e pret: të nokautojë Anthony Joshuan dhe të "tronditë" botën e boksit. /Telegrafi/


