Kosova voton për Kuvendin e ri - gjithçka që duhet të dini për procesin zgjedhor
Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 941 qendra votimi, ku për votimin e rregullt janë hapur 2,533 vendvotime, ndërsa për votimin me kusht janë caktuar 38 qendra me gjithsej 56 vendvotime.
Në ditën e zgjedhjeve, fillimisht do të numërohet pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë zgjedhur subjektin politik, duke i mundësuar KQZ-së publikimin e rezultateve preliminare brenda një kohe të shkurtër.
Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në qendrat komunale të numërimit do të fillojë numërimi i votave për kandidatët individualë për deputetë.
Më 8 shkurt, votimi u zhvillua edhe në 43 vendvotime të vendosura në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës në 19 shtete të ndryshme të botës.
Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës kishin mundësinë të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Gjatë fushatës zgjedhore, partitë politike bënë premtime të shumta për rritjen e pagave dhe pensioneve, përmirësimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor, si dhe luftimin e varfërisë. Megjithatë, realizimi i këtyre zotimeve mbetet sfidë për vendin më të varfër në Evropë.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë drejtimin e politikës kosovare në bisedimet e ngecura me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Procesi zgjedhor do të monitorohet nga një ekip prej 100 vëzhguesish nga Bashkimi Evropian, 18 nga Këshilli i Evropës dhe dhjetëra të tjerë nga organizata ndërkombëtare.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
Deri tani, vendi ka zhvilluar disa palë zgjedhje të parakohshme.
Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.
Nga këto votime do të dalë përbërja e re e Kuvendit, i cili më pas do të zgjedhë Qeverinë e re të vendit./Telegrafi/


