Please enter at least 3 characters.

Kosova në Zi për viktimat e Tisës!? – Jo, jo!

Kosova në Zi për viktimat e Tisës!? – Jo, jo! Tisa nuk vërshoi Kosovën...ishte ndrysh...?!
Kosova është n`Zi për shkak të pafatësisë me kastën e saj politike!

Kosovarët sot kanë shtetin e tyre, por shteti i tyre është prapë i okupuar!
I okupuar nga një kastë që sado që është me parashenjë shqiptare si shumicë, veç e drejtë dhe e ndershme s`është!

Kosova sot është n`Zi – për shkak të mungesës së drejtësisë dhe ndershmërisë…!

Ku s`ka drejtësi e ndershmëri t`institucionalizuar – aty vërshimet e Tisave s`janë aksidente, por përditshmëri...

Gjithandej n`botë, ka njerëz të varfër, edhe në Uashington sikur edhe Paris, Berlin e Zürich…!
Besa edhe n`Stamboll, Kajro, Selanik...!
Por atje ka më shumë ndershmëri e drejtësi shoqërore, juridike, politike e sociale.
Ka solidaritet t`sistemuar - shteti ndanë t`mirat, aq sa janë, më ndershmërisht.
Jo gjithherë drejtësisht, por më ndershmërisht - gjithsesi.

Pra, nuk është puna dhe çështja, se sa të pasur e kemi shtetin dhe vendin!
Dhe s`po kërkon askush n`Kosovë t`jetojë si Kryeministri, Kryeparlamentari dhe Presidenti!

Por çështja është si po ndahet ajo që e kemi?
Si po harxhohet e keqpërdoret ajo që kemi?
Ku po investohet ajo që kemi? Aty ku përvetësohet nga tenderët, apo aty ku gjejnë ngjizje shpresa e përparimi?
Kjo është çështja që tashmë e ka etabluar pashpresën - pashpresën, jo vetëm te ata që u mbytën në lumin Tisa. Por fatkeqësisht, edhe te një shumicë, aradhe të pa punësh, që mund të na mbyten nesër, para syve tanë...!

Më e dinjitetshme ishte varfëria n`vitet e 70-ta, dhe më e dinjitetshme ishte varfëria, shih absurdin, edhe në vitet e institucioneve paralele (1990-1999) - sesa sot, kur kemi buxhet prej 1.4 Miliardësh!?
Si ngjanë të ketë varfëri të dinjitetshme?
Ngjanë, aty ku për-rreth, ndjehet solidariteti shoqërorë e shtetërorë, institucional e njerëzorë, ku paraja publike ndahet ndershmërisht...e ku dora e shtetit dhe shoqërisë, gjendet afër! Kosovarët kanë jetuar situata më të rënda varfërie se kjo sot. Por kjo sot po dhemb shumë...

Ç`ështja është pra, si po ndahet, si po administrohet, si po (keq)përdoret, ajo që kemi?

Dua të them se dje e besa edhe sot, Kosova është në Zi, për viktimat e politikës impotente, jo-kreative, viktimat e kriminalitetit të organizuar politik, të korrupsionit, keqpërdorimit të pushtetit, dhe është në Zi, për viktimat e padrejtësive sociale, viktimave të politikës së klaneve e tarafeve politiko-mafioze - përvetësuese e keqpërdoruese të pasurisë nacionale, resurseve tona natyrore dhe të parasë publike...

Kosova n`Zi për viktimat e Tisës, që flasin më shumë se gjithë`çka, ndërkaq, ministri i Ekonomisë Ahmet Shala s’e sheh krizën, e deklaron ashtu, sikur t`ishte Minister në Qeverinë Zvicerane: "Kosova do ta ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon!".
Si ta kualifikojë këtë sarkazëm?
Unë e quaj larje truri...!
Brainwash, Brainwash, Brainwash...

Kosova n`Zi, ndërkaq, zv. Kryeministri Kosovës, Hajredin Kuçi, deklaron se: "PDK-ja nuk ka pasur problem për numra...! Nuk ka pasur asnjëherë problem. Partitë e vogla janë ato që lusin partinë më të madhe dhe për PDK-në asnjë parti nuk është e papranueshme (për bashkëqeverisje) – e kam fjalën për AAK, LDD dhe AKR” thotë më tutje Kuçi!

Po, e dimë të gjithë zoti Kuçi, se PDK e Kosova juaj, s`ka probleme me kombinatorikë koalicionesh matematike të për`bashkimeve për të Qeverisë tutje...!
Dhe ky vërtet s`është problemi ynë dhe i shoqërisë Kosovare...!

Jo, jo, biles sa i përket këtij aspekti, mund të flini dath z. Kuçi, kaq dimë të gjithë, bile e dimë, edhe faktin, se Ju si keni brengat e njëjta me ata që u mbytën në lumin Tisa, e me shoqërinë Kosovare! Si keni as brengat e shoqërisë së trishtuar, e cila po i frikohet vërshimit të Tisës n`Prishtine...!?

Familjeve të viktimave (në lumin Tisa) të politikës së dështuar, Kryeministri Thaçi, në anën tjetër, apo nga lartësitë e tij, u ndau dje, nga 10`000 Euro!
Mirë, por nuk është zgjedhur Kryeministri Thaçi që të luaj rolin e zjarrfikësit, apo humanistit e filantropit, siç po benë me dëshirë – dhe po shpërfaqet para nesh si njeri i mirë, gjithherë, me paranë tonë publike!
Atij si Kryeministër, vota i ka ndarë e përcaktuar tjera detyra, obligime, e besa edhe përgjegjësi...!?
Pra edhe këtë e dimë...!
E dimë edhe se Thaçi premtoi diçka krejt tjetër...!

Ajo që s`dimë ndërkaq, dhe që duam me doemos ta dimë: është si të mbrohemi nga vërshimi i Tisës n`Prishtinë e Kosovë dhe përmbytjes sonë në pashpresë...!

S`dimë as, cili kombinim partish është më fatbardhë për shoqërinë Kosovare?
Cili i sjell t`paktën si intencë permanente institucionale - më shumë ndershmëri e drejtësi në ndarjen e t`mirave të përbashkëta materiale, parasë publike e pasurisë nacionale...!?

Cili kombinim partish i sjell më shumë shpresë Kosovarëve - që vërshimi i Tisës n`Kosovë, përmbytja aty, t`mos jetë fati dhe pafatësia jonë kolektive...?

Këto të gjitha si dimë, por shpresoj që si qytetarë të kemi mësuar aq pak:
- Se duhet t`a ndërrojmë e p`rraptojmë dhe nxjerrim zyresh shpejt e shpesh, këtë kotillë politike tonën!
T`a varfërojmë privilegjesh mondane, sa herë që të ketë nevojë, sa herë që degjenerojnë, siç kanë degjeneruar aktualisht.

Dhe kështu duhet të bëjmë gjithherë me të gjitha Qeveritë, dhe të gjithëve, cilat do qofshin kombinimet e tyre matematikore t`sundimit - që veq Qeverisje s`është!
Duhet t`i dënojmë, deri sa t`mësojnë, sikur kanë mësuar të gjithë liderët e botës së civilizuar:

- Se Liderët e shtetit, të institucioneve sikur edhe të Qeverisë – janë argat t`paguar nga qytetari, dhe jo e kundërta! Se ata japin përgjegjësi deri në detaje e cent, e jo qytetari…

Tisa, i nderuari Kryeministër Thaçi, e President Sejdiu, nuk e vërshoi Kosovën që t`shpallni ditë Zie, por Kosovën e ka vërshuar korrupsioni, krimi i organizuar dhe mafia politike, Tenderokracia, padrejtësia e pa ndershmëria...

Për demokracinë veç tjerash, shpjegohet, se është edhe një mekanizëm i cili u mundëson njerëzve që lirshëm të vendosin se kush është fajtor për të gjitha.
Me votën e tyre!

Andaj, gjithsesi Votoni! Dhe dënoni!

(Autori është kolumnist i gazetës Kosova Sot)