Korreshi nxjerr foton e bukës me kos: Si pacientët e Lushnjës e hani dhe ju mëngjesin zonja ministre? I përgjigjet Sala: Mos përdorni shëndetësinë për politikë
Në seancën e sotme plenare u mbajt interpelanca mes deputetit demokrat, Saimir Korreshi dhe ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala.
Deputeti demokrat nga foltorja tregoi fotot e bukës me kos, që sipas tij është mëngjesi i vetëm që konsumojnë pacientët e spitalit të Lushnjës. Ai ngriti gjithashtu mungesën e mjeteve thelbësore që duhet të ketë spitali, raporton Tch.
“Pyetja e parë për ju është a keni ngrënë mëngjes? Dhe unë po ju tregoj mëngjesin që hanë pacientët e spitalit në Lushnje. Në kuzhinë nuk është një kuzhiniere, por një infermiere, e keni thënë ju vetë.
U verifikuan ambientet e spitalit Lushnje, ku thonë se kushte ishin të këqija si në kuzhinë ashtu edhe në lavanderi para 3 vitesh nga tre persona nga këta të auditimit.
Tani po të them, së pari pse keni zhvendosur godinën dhe e latë 8 muaj në një ‘qenefhane’ dhe nuk zbardhët lejen e ndërtimit prej. Kush mban përgjegjësi që pacientët marrin shërbim në kushte mizerabël? E dyta, si jeni me gjeografinë? Kaq vështirë e keni të kuptoni që ekzistojnë qytete të tjera përveç Tiranës. Pse nuk vjen me mua dorë për dore të shikoni kushtet? Pyetja që më bëjnë pacientët ministrja a punon apo rri në avion se në avion maksimumi ndihmën e shpejtë do të kontrollojë.
Çfarë mungon në spitalin e Lushnjës sot? Alkooli, pambuku, vigoni. Se që ta dini është bërë barsoletë atje, thotë mjekja ‘Ku është pambuku me alkool?’, s’ka alkool, e sjell infermierja pambukun me ujë dhe thotë mjekja ‘Pse e keni lënë hapur alkoolin se i ka ikur era?’.
Në 2024 keni liruar nga detyra filan person nga posti i zv.drejtorit, në 2025 vijnë drejtor. Tani ju e hoqët se nuk blinte vigona, tani e sillni prapë. Unë dhe qytetarët e Lushnjës kërkojmë përgjigje zonja ministre”, tha Korreshi.
Ministrja Sala iu përgjigj duke i thënë se ambientet e spitalit të Lushnjës janë ndërtuar para viteve 90 dhe shtoi se problematika nuk është diçka e re. Megjithatë ajo njoftoi se spitali i Lushnjës është futur tashmë në skemën kombëtare të rikonstruktimit të disa spitaleve që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente.
“Dua të falënderoj deputetin Korreshi, sepse interpelanca e tij shërben si kujtesë e dobishme, se sa e rëndësishme është të flasim me fakte dhe jo me narrativa politike, për Spitalin e Lushnjës dhe investimet reale që po zhvillohen.
Qytetarët kanë nevojë për të vërtetën, jo për alarm politik të fabrikuar. Sepse ka deputetë që sa shohin një skelë ndërtimi, shpallin katastrofë kombëtare. Ne ndryshe nga folklori i alarmit, zgjedhim punën dhe investimin
Shëndetësia nuk mund të përdoret si skenë për propagandë frike apo për të nxirë çdo investim që bëhet, vetëm për disa kredite politike të momentit.
Më lejoni të informoj qytetarët për të vërtetën e investimit në Spitalin e Lushnjës.
Spitali Bashkiak Lushnjë mbulon mbi 63 mijë banorë dhe funksionon në godina të ndërtuara para viteve ’90, të cilat për dekada kanë pasur amortizim të konsiderueshëm infrastrukturor dhe teknik. Kjo nuk është një problematikë e krijuar sot. Është një trashëgimi shumëvjeçare, që për vite me radhë nuk mori investimet e nevojshme.
Pikërisht për këtë arsye, Spitali i Lushnjës është përfshirë në programin kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore, të financuar nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Investimi ka nisur gjatë vitit 2026 dhe punimet kanë filluar zyrtarisht më 4 mars. Fondi i planifikuar për këtë vit është rreth 82 milion lekë, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar rreth 236 milion lekë të tjera.
Ndërhyrja po realizohet në godinën nr. 3 të spitalit, ku funksiononin urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia. Paralelisht po kryhen ndërhyrje edhe në ambientet e lidhura me maternitetin dhe shërbimet mbështetëse, me synim përmirësimin e kushteve për nënat, të porsalindurit dhe pacientët në tërësi.
Ky nuk është një investim fasadë. Nuk është një lyerje muresh për fotografi propagandistike. Është një rikonstruksion i plotë infrastrukturor, që përfshin rehabilitimin e ambienteve spitalore, rikonstruksionin e rrjeteve teknike, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, rritjen e sigurisë teknike dhe modernizimin e kushteve diagnostikuese e trajtuese.
Natyrisht, një ndërhyrje e këtij niveli sjell përkohësisht vështirësi operative. Por pyetja është: çfarë duhet të bënim? Të mos investonim fare? Të lëmë godinat të degradohen? Apo të mbyllnim shërbimet për qytetarët?
Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, por më të përgjegjshme: të investojmë duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit.
Për këtë arsye është miratuar dhe po zbatohet një plan i përkohshëm riorganizimi dhe shërbimet e urgjencës, imazherisë, kirurgjisë dhe repartet e tjera vijojnë aktivitetin në ambiente të tjera funksionale të spitalit.
Ka një dallim të madh mes kritikës konstruktive dhe përpjekjes për të deformuar realitetin. Ne e mirëpresim kritikën që ndihmon për të përmirësuar sistemin. Por nuk mund të pranojmë retorikën që tenton të paraqesë spitalet publike si struktura të braktisura, ndërkohë që aty punohet çdo ditë, investohet çdo ditë dhe trajtohen mijëra qytetarë.
Është e lehtë të bësh opozitë me batuta. Më e vështirë është të ndërtosh spitale, të financosh aparatura dhe të mbash sistemin në punë gjatë rikonstruksionit, siç ne po bëjmë sot”, u përgjigj ministrja. /Tch/


