Please enter at least 3 characters.

Konjufca mohon se e quajti Vjosa Osmanin “frizerkë”

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar pasi në media u raportua se në një video-incizim ai dëgjohej duke përdorur termin “frizerkë” për ish-presidenten Vjosa Osmani.

Përmes një reagimi publik, Konjufca mohoi që deklarata e tij të kishte të bënte me Osmanin, duke e cilësuar gjithë rastin si “lajm të rremë” dhe “shtrembërim të qëllimshëm”.

Ai tha se gjatë një tubimi në Ferizaj, ishte ndërprerë nga një “pseudogazetar”, i cili kishte përdorur termin “frizere”, ndërsa ai kishte reaguar duke mbrojtur këtë profesion.

“Sqarova se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu, për këtë arsye ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria”, tha Konjufca.

Sipas tij, diskutimi kishte vetëm qëllimin për të kundërshtuar përdorimin përçmues të profesionit të frizeres dhe nuk kishte asnjë lidhje me presidenten Osmani.


“Mediet qëllimkëqija e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan një rrëfim të paqenë”, deklaroi ai.

Konjufca shtoi se ai dhe Osmani kanë bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, duke thënë se kushdo që e njeh e di qasjen e tij në politikë.

Në fund të reagimit, ai kërkoi ndjesë ndaj kujtdo që mund të jetë ndjerë i lënduar nga, siç e quajti ai, “konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale”.