Please enter at least 3 characters.

Self sërish kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO, Rubio riafirmon angazhimin e SHBA-së në Ballkan

Kryetari i Nënkomitetit për Evropën në Kongresin amerikan, Keith Self, ka përdorur kohën e tij gjatë një seance dëgjimore me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të avokuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për të theksuar rëndësinë e vazhdimit të angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Duke iu referuar vizitës së tij të fundit në Kosovë, Luginën e Preshevës, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, Self e përshkroi rajonin si “jashtëzakonisht të brishtë” dhe nënvizoi se integrimi i Kosovës në institucionet euroatlantike mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Gjatë diskutimit, kongresmeni amerikan mirëpriti edhe emërimet e fundit të ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se është e rëndësishme që administrata amerikane të emërojë sa më shpejt edhe një ambasador në Kosovë.

Ai tha se pret mbështetjen e administratës për plotësimin e këtij posti të rëndësishëm diplomatik.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, riafirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në Ballkanin Perëndimor dhe të përkushtuara për të parandaluar konfliktet dhe paqëndrueshmërinë në rajon.

Organizata “Albanians for America” vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të kongresmenit Self për forcimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, si dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Sipas kësaj organizate, Keith Self vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në Kongresin amerikan në mbështetje të Kosovës, paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të saj./Telegrafi.