Komuna e Prishtinës njofton se shtatë shkolla të reja po i bashkohen shërbimit të Kuzhinës Qendrore
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se shtatë shkolla të reja po i bashkohen shërbimit të Kuzhinës Qendrore të Kryeqytetit.
Në njoftimin e bërë nga Komuna thuhet se kështu do të sigurojnë ushqim të shëndetshëm çdo ditë për rreth 1,850 nxënës, ku mbi 70% janë nga zonat rurale.
"Ky zgjerim është pjesë e një programi të menduar me kujdes dhe të strukturuar profesionalisht, i cili nuk ofron thjesht vakte, por ushqim të balancuar dhe të larmishëm, i përshtatur sipas standardeve ushqimore për fëmijët në moshë shkollore", thuhet në njoftimin e komunës.
Më tej, thuhet se "programi synon të mbështesë zhvillimin fizik, performancën kognitive dhe energjinë gjatë gjithë ditës së mësimit, duke kontribuar kështu në një përvojë më të plotë dhe të shëndetshme shkollore për çdo nxënës". /Telegrafi/


