Please enter at least 3 characters.

Komuna e Junikut u bën thirrje qytetarëve të shlyejnë obligimet për tatimin në pronë

Komuna e Junikut u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që kanë obligime të papaguara për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, që të kryejnë pagesat sa më parë, me qëllim shmangien e ndëshkimeve financiare.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Zyra e Tatimit në Pronë, thirrja bazohet në Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, konkretisht në nenin 26, që i jep komunës autoritetin dhe kompetencën për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara që tejkalojnë shumën prej 10 eurosh.

Nga komuna bëhet e ditur se tatimpaguesit që nuk i kryejnë obligimet në kohë do të përballen me interes ndëshkimor prej 0.65 për qind për çdo muaj vonesë.

Po ashtu, në rast të mospagesës, Komuna e Junikut paralajmëron se do të zbatojë Manualin për Zbatimin e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara për Tatimin në Pronë, të miratuar nga Ministria e Financave – Departamenti i Tatimit në Pronë.

Ky manual parasheh një sërë masash, përfshirë dërgimin e letërkujtesave, njoftimin përfundimtar, marrjen e vendimit për ekzekutimin e mbledhjes së detyrueshme, si dhe kontratat për pagesë me këste.

Në fund të njoftimit, Komuna e Junikut falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke i inkurajuar ata që të respektojnë obligimet ligjore për tatimin në pronë.