Kërkohet dëmshpërblim për demolimin e lokalit të pronarit të ish-diskotekës "Pulse" në Koçan, reagojnë prindërit e viktimave
Kompania “BIT TIM”, në pronësi të Mihail Jovanov, djali i Dejan Jovanov – Dekos, ka paraqitur padi private ndaj tetë të rinjve nga Koçani, duke kërkuar dëmshpërblim prej rreth 25.000 eurosh për dëmet e shkaktuara në lokalin “Classic Café” në Qendrën Tregtare të Qytetit.
Rasti lidhet me një incident të ndodhur më 17 mars, një ditë pas zjarrit tragjik në diskotekën “Pulse”, kur gjatë përshkallëzimit të protestave u demolua lokali. Sipas dosjes, janë thyer vitrinat dhe është dëmtuar një pjesë e inventarit, përfshirë karrige, tavolina, televizorë dhe dekorime.
Procesi gjyqësor ka filluar, por seanca e dytë për përpjekje pajtimi është shtyrë pasi paditësi Mihail Jovanov nuk është paraqitur në gjykatë.
Avokatja e tij, Ivana Kocevska, deklaroi se Jovanov nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se brenda tre ditëve do të dorëzohet dokumentacion mjekësor për arsyetimin e mungesës.
Nga ana tjetër, një pjesë e të akuzuarve ishin të pranishëm me avokatët e tyre, por mbrojtja ka theksuar se “nuk ka kushte për marrëveshje”, duke refuzuar zgjidhjen me kompensim të dakorduar.
Gjykatësi Spiro Borisov konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, për shkak të mungesës së palëve dhe një konflikti të mundshëm interesi, pasi një nga avokatët është në lidhje familjare me gjykatësin. Për këtë arsye, ai paralajmëroi kërkesë për përjashtim në Gjykatën e Apelit në Shtip.
Shtyrja e procesit ka marrë vëmendje edhe nga disa prindër të viktimave të tragjedisë në “Pulse”, të cilët kanë shprehur mbështetje për të rinjtë e akuzuar, duke e cilësuar kërkesën për dëmshpërblim si të pabazë.
Seanca gjyqësore është shtyrë pa afat, deri në vendimin e Gjykatës së Apelit në Shtip.


