Katolikët u përmendën si kategori e veçantë nga Specialja në aktakuzën e Thaçit dhe të tjerëve, vjen reagimi nga publicisti Ndue Ukaj
Gjykata Speciale dje ka publikuar aktakuzën e konfirmuar ndaj krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Në një pjesë të kësaj aktakuze ku pretendohet për krimet që kanë kryer krerët e UÇK-së, Specialja ka paraqitur katolikët si grup i veçantë, bashkë me serbët, ashkalinjët dhe romët.
Lidhur me këtë formulim të Speciales ka reaguar shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj i cili i takon besimit katolik.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se formulimi i tillë është i marrë, puro politik dhe përbën një mega skandal, prandaj edhe duhet t’a shqetësojë secilin shqiptar, e veçanërisht shqiptarët katolikë.
“E vërteta është se shqiptarët - katolikë, myslimanë, protestanë dhe të pafe - së bashku kanë zhvilluar luftë për liri, pavarësi dhe demokraci, në atdheun e tyre autokton, ku janë shtypur e vrarë nga regjimi barbar i Serbisë. Një tendencë e tillë qartësisht ka prapavijë të rrezikshme politike”, ka shkruar Ukaj.


