Please enter at least 3 characters.

"Ka potencial për të fituar Topin e Artë" - Viera me fjalë të mëdha për Olise

Legjenda e futbollit francez, Patrick Vieira, ka bërë një vlerësim të jashtëzakonshëm për Michael Olise, duke deklaruar se ylli i Bayern Munich ka potencialin për të arritur nivelin e Zinedine Zidane dhe madje për të fituar një ditë Topin e Artë.

Në një intervistë për L'Equipe, Vieira u shpreh i bindur se talenti, kreativiteti dhe zhvillimi i shpejtë i Olise e bëjnë atë një nga futbollistët më premtues të brezit të tij.

“Koha do të tregojë nëse ai do të bëhet një Zidane, një Platini apo një lojtar i atij niveli. Por për një gjë jam i bindur: ai e ka potencialin. Ai ka potencialin e Zidane. Ka atë kreativitet, atë finesë dhe atë efikasitet që e bëjnë të veçantë”, deklaroi Vieira.

Ish-kapiteni i Francës vlerësoi gjithashtu sezonin e shkëlqyer që Olise ka zhvilluar me Bayern Munich, duke e cilësuar si dëshmi të progresit të tij të jashtëzakonshëm.

“Ajo që ka bërë me Bayernin këtë sezon është vërtet e jashtëzakonshme. Ai është një lojtar që, me më shumë përvojë në nivel klubesh dhe me kombëtaren e Francës, do të piqet edhe më shumë. Dhe kur kjo të ndodhë, ai do të shpërthejë plotësisht”, shtoi Vieira.

Madje, ish-mesfushori francez shkoi edhe më larg në vlerësimin e tij, duke e konsideruar Olise si një kandidat të ardhshëm për çmimin më prestigjioz individual në futboll.

“Ai është një fitues i ardhshëm i Topit të Artë, pa asnjë dyshim. Kupa e Botës do t'i japë edhe më shumë vetëbesim dhe më pas ai do të shpërthejë plotësisht në skenën botërore”, përfundoi Vieira. /Telegrafi/