“Ishte tronditëse”, Ewan Mitchell flet për puthjen me 'nënën' e tij në “House of the Dragon”
Aktori britanik, Ewan Mitchell, ka komentuar një nga momentet më të diskutueshme të episodit hapës të sezonit të tretë të “House of the Dragon”, ku personazhi i tij, Aemond Targaryen, puth në buzë nënën e tij Alicent Hightower, të interpretuar nga Olivia Cooke.
Skena ka shkaktuar reagime të shumta te fansat e serialit, ndërsa vetë Mitchell e ka përshkruar atë si një moment “që të bën të duash të vjellësh pak në gojë”.
Aktori pranoi se ishte një skenë e vështirë për t’u përjetuar, por theksoi se ajo pasqyron marrëdhënien e shtrembëruar emocionale të Aemondit, i cili gjatë gjithë jetës ka vuajtur nga mungesa e dashurisë dhe pranimit nga familja e tij, shkruan DailyMail.
“Është një pilulë e vështirë për t’u gëlltitur. Të puthësh nënën në buzë, sidomos në atë mënyrë, është tronditëse. Por ajo që shohim në atë skenë është një formë e deformuar e dashurisë. Aemond nuk e ka ndier kurrë se është dashur mjaftueshëm dhe kjo ka ndikuar në mënyrën se si ai i percepton marrëdhëniet”, u shpreh aktori.
Edhe Olivia Cooke e cilësoi xhirimin e skenës si “shumë të çuditshëm” për të dy aktorët, duke shtuar se personazhi i Alicentit ndodhet në një situatë të rrezikshme, pasi e di se djali i saj është një njeri i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm.
Ndërkohë, drejtuesi i serialit, Ryan Condal, sqaroi se sjellja e Aemondit është rezultat i traumave të hershme dhe i paaftësisë së tij për të ndarë ndjenjat familjare nga ato romantike.
Premiera e sezonit të tretë ka tronditur jo vetëm për këtë moment kontrovers, por edhe për zhvillimet dramatike dhe humbjet e rëndësishme që shënuan episodin e parë.
Në rrjetet sociale, shumë fansa e cilësuan puthjen si një nga skenat më të pakëndshme dhe më të pazakonta që kanë parë ndonjëherë në universin e “Game of Thrones”. /Telegrafi/


