iPhone Air 2 mund të vijë në vjeshtën e vitit 2026
Sipas një burimi nga rrjeti kinez Weibo me pseudonimin “Fixed Focus Digital”, gjenerata e re e iPhone Air mund të shfaqet në treg në vjeshtën e vitit 2026.
Sipas tij, iPhone Air 2 është planifikuar të prezentohet gjatë një ngjarje vjeshtore, ndërsa modeli iPhone 17e është tashmë në fazë të prodhimit masiv dhe pritet të zbulohet në një event të Apple në pranverë.
Kjo thashetheme bie ndesh me një seri raportesh të mëparshme që tregojnë se gjenerata e dytë e iPhone Air është shtyrë deri në mars të vitit 2027, ku pritet të dalë bashkë me iPhone 18 dhe versionin më të lirë iPhone 18e.
Fillimisht ishte spekuluar se modeli i ri iPhone Air do të debutonte në vjeshtën e vitit 2026, bashkë me modelet iPhone 18 Pro, iPhone 18 Pro Max dhe një iPhone të palosshëm, por shitjet e dobëta të gjeneratës së parë duket se kanë bërë që Apple të rishikojë planet.
Për iPhone Air 2, thuhet se mund të adresojë kritikat kryesore të përdoruesve, përfshirë shtimin e një kamere të dytë në pjesën e pasme, çmim më të ulët, peshë më të vogël, sistem ftohjeje më të avancuar dhe bateri me kapacitet më të madh.
Megjithatë, ka ende mundësi që Apple ta prezantojë këtë model në vjeshtën e vitit 2026, sidomos nëse kompania ka përshpejtuar zhvillimin e funksioneve të reja - pasi ky ishte termini i paracaktuar origjinal për prezantimin.
Duke qenë se ka shumë thashetheme që flasin për shtyrje, do të ishte një surprizë nëse ato rezultojnë të pasakta. /Telegrafi/


