Inspektohen punimet në varrezat e dëshmorëve në Shtime, paralajmërohet përurimi në Ditën e Dëshmorëve
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Imer Hakaj, me të cilin ka diskutuar për ecurinë e projekteve aktuale dhe iniciativat e reja me rëndësi historike dhe kombëtare.
Pas takimit, Aliu dhe Hakaj, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, kanë inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në rregullimin e varrezave të dëshmorëve në këtë komunë.
Sipas njoftimit, projekti pritet të përfundojë dhe të përurohet në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, ndërsa brenda disa muajve është planifikuar edhe fillimi i fazës së dytë, e cila përfshin rregullimin e varrezave të veteranëve.
“Hapësirat e kujtesës sonë kolektive do të jenë gjithmonë në qendër të qeverisjes sonë”, ka deklaruar kryetari Aliu, duke theksuar përkushtimin institucional për ruajtjen dhe dinjitetin e këtyre vendeve.
Nga ana tjetër, drejtori i AMMKM-së, Imer Hakaj, ka vlerësuar bashkëpunimin me Komunën e Shtimes, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për kujtesën kolektive.
“Bashkë me stafin e Agjencisë ishim te miku ynë, Kryetari i Komunës së Shtimës, Qemajl Aliu, për punë të mira dhe në nderim të dëshmorëve të lirisë, si dhe për të parë nga afër punimet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve”, ka thënë Hakaj.
Sipas tij, falë koordinimit ndërinstitucional, Kompleksi Memorial i Dëshmorëve po merr formë dinjitoze, në përputhje me sakrificën dhe kontributin e dëshmorëve të lirisë. /Telegrafi/


