Please enter at least 3 characters.

ICK hap shtëpinë e re të inovacionit në Pallatin e Rinisë

Innovation Centre Kosovo ka hapur zyrtarisht hapësirën e re në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, duke shënuar një kapitull të ri për komunitetin e inovacionit, ndërmarrësisë dhe teknologjisë në vend.

Ceremonia zyrtare u mbajt pranë monumentit NEWBORN, me pjesëmarrjen e miqve, bashkëpunëtorëve, mbështetësve dhe anëtarëve të komunitetit të ICK-së. Në hapje morën pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përfaqësues të institucioneve, partnerë dhe kompani që mbështesin zhvillimin e ekosistemit të teknologjisë në Kosovë.

Hapësira e re, e hapur në bashkëpunim me Kryeqytetin, synon të shërbejë si pikëtakim për të rinjtë, startup-et, ndërmarrësit dhe idetë kreative që mund të krijojnë mundësi të reja pune dhe zhvillim për Prishtinën.

Me këtë hap, ICK hyn në fazën e re të njohur si ICK 3.0, duke zgjeruar ambientet për punë, trajnime, mentorim, bashkëpunim dhe zhvillim të komunitetit. Hapësirat e reja përfshijnë ambiente të hapura pune, zona për takime, hapësira për trajnime dhe laboratorë të pajisur me teknologji.

Pjesë e mbështetjes për këtë kapitull të ri është edhe IPKO, si partner gjeneral i projekteve të ICK-së. Në kuadër të bashkëpunimit afatgjatë, IPKO ka modernizuar një nga hapësirat e trajnimit, tashmë të njohur si IPKO Connected Lab, e cila do të shërbejë për mësim, bashkëpunim dhe zhvillim të aftësive të reja.

Në këtë ngjarje u përmend edhe bashkëpunimi me NLB Bank, për mbështetjen e projekteve të reja që lidhen me inovacionin dhe ndërmarrësinë.

Hapja e hapësirës së re në Pallatin e Rinisë e vendos ICK-në në një fazë të re të rrugëtimit të saj, me një adresë që synon të mbledhë komunitetin, talentin dhe partnerët rreth zhvillimit të inovacionit në Kosovë.

true