Please enter at least 3 characters.

Hungaria mbështet Ballkanin Perëndimor, bllokon Kievin: Nuk do të lejojmë që Ukraina të ketë përparësi ndaj vendeve që presin prej vitesh

Edhe pse pritej që largimi i ish-kryeministrit Viktor Orban të zhbllokonte rrugën e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian, qeveria e re hungareze ka rikthyer pengesat për avancimin e Kievit në procesin e integrimit evropian.

Budapesti zyrtar kundërshton përshpejtimin e negociatave të Ukrainës me BE-në, duke argumentuar se Kievi nuk duhet të trajtohet me përparësi në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat prej vitesh presin anëtarësimin dhe kanë zbatuar reforma të gjera.

Pas ndryshimit të pushtetit në Hungari dhe ardhjes në krye të qeverisë të reformistit Peter Magyar, në Bruksel dhe Kiev kishte optimizëm se do të hiqej bllokada që kishte vendosur Orban ndaj procesit të anëtarësimit të Ukrainës. Në qershor u hap grupi i parë i kapitujve të negociatave, ndërsa më vonë edhe ai për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Megjithatë, sipas Financial Times, javën e kaluar Hungaria bllokoi hapjen e dy grupeve të tjera të kapitujve, që lidhen me tregun e përbashkët, si dhe me politikat ekonomike dhe sociale. Ky veprim tregon se qeveria e re nuk ka ndryshuar plotësisht qasjen e saj ndaj integrimit të Ukrainës.

Zëdhënësi i qeverisë hungareze deklaroi se Budapesti kundërshton çdo përpjekje për një "rrugë të përshpejtuar" të Ukrainës drejt BE-së. Sipas tij, nuk është e drejtë që Ukraina të përfitojë trajtim më të favorshëm sesa vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat prej shumë vitesh, madje dekadash, kanë përmbushur kritere të rrepta për anëtarësim.

Edhe kryeministri Peter Magyar ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin ndaj përshpejtimit të procesit të integrimit të Ukrainës. Deri më tani ai nuk ka zhvilluar ende takimin e paralajmëruar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian vlerëson se Ukraina i ka plotësuar kushtet formale për hapjen e të gjashtë grupeve të kapitujve negociues. Disa diplomatë evropianë e konsiderojnë bllokadën hungareze si një pengesë të përkohshme, ndërsa liderë të tjerë, përfshirë kryeministrin irlandez Micheal Martin, kërkojnë që të gjithë kapitujt e mbetur për Ukrainën të hapen deri në fund të këtij viti. /Telegrafi/