Historia frymëzuese e ferizajasit me distrofi muskulare
Sfidat janë ato që e bëjnë jetën interesante, ndërsa tejkalimi i tyre është ajo që e bën atë më kuptimplote. Kur do diçka, edhe e pamundura bëhet e mundur.
E tillë është edhe historia frymëzuese e ferizajasit Kenan Zylfiqarit. Një njeri plot dashuri për jetën, e i pamposhtur nga sfidat e saj. I diagnostifikuar me distrofi muskulare, Kenani u gjet përballë një vështirësie, por që s’do t’ia humbte motivin për jetë, raporton RTV Dukagjini.
Problemet shëndetësore nuk e ndaluan që të merret me pasionin e tij. Lidhja e veçantë me shpezët e botën shtazore e çoi drejt hapjes së një dyqani unik.
“Hobin e kom pas prej 2009-tës, kom fillu me hobi, kom majt në shpi. Pas një vështirësie që kom pas në jetë, tash mu dashke me u marr me diçka mos me u bo pasiv edhe e hapa dyqanin në Ferizaj. Tash jam mirë, falënderoj Allahun që më ka pru qysh jom, shoqnia, rrethi e krejt më kanë ndihmu...”
“Tash për momentin posedoj peshq, disa shpezë, kanarina, nimfa... Tash nuk është sezoni e shpezëve. Është e peshqve, fokusohem tek peshqit”
“Për me mbajt ni sen duhet me pas vullnet, me pas hobi. Nuk është veç me marrë edhe me lanë. Nuk kanë kafshët gojë me fole qitem ushqim ose pastrim. Duhet mu kon, sikur fminë ton me kqyr. Munesh me marrë me lon ama aj ngordh. Duhet me pas vullnet që me kqyr, me ja plotësu kushtet. Nuk d.m.th me ble e mas ni javë dite me gju”
Për të poseduar kafshë e shpezë, nuk mjafton vetëm simpatia ndaj tyre. Kenani tregon se duhet kushtuar kujdes të veçantë. Madje, nuk duhet anashkaluar as detajin më të vogël kur bëhet fjalë për rritjen e tyre.
“Qaq shumë jom i dhont mas kafshëve peshqve, ndodh shpesh herë nuk mnxen gjumi thom hajt shkoj t’i këqyri a osht gjithçka në rregull. Vi në 12, 1 ose 2 të natës i këqyri. A kanë ujë, a jon mirë, a e kanë nxehtë, se dimrit zakonisht duhet me ja përcjell temperaturën. Ndalet rryma, duhet me ardhë me jau lshu pompat. Duhet me jau plotësu kushtet. Kur ki hobi duhesh me mbajte. Ndodh në 2 të natës, 3 të natës kom ardhë. Ska pasë rrymë kom ardhë e kom dhezë gjeneratorin”
“Për ushqim varet, duhesh me jau bo me orar të caktum. Me ditë kur don mi qitë ushqim, kur të sheh aj ty, afrohen, peshku ose kafsha. E din që je tu ja ndrru ushqimin, që je tu ja bo të freskët. Çdo ditë aj msohet, në të njëjtin orar, afrohet ngat xhamit. E kuptojnë që je tu qitë ushqim. Secilin sen, varet krejt qysh jau bon me orar. Nuk bon sot me ja qit në 8, nesër në 12. Çdo ditë duhet orarin e njëjtë që kafsha me kuptu që je tu e dashtë ata”
“Shumë njerëz nuk i kanë dashtë, po tu nejt me mu, tu pi kafe, aaa.. e ushqeva kanarinën, e mora digricën, e kanë marrë kët sen. Edhe ata kanë hi në hobi pom thojnë na ke infektu keq. Ju thom ju kom infektu për mirë. Hobi osht ky. Kjo është e mirë se dashurohesh, e kur dashurohesh në kafshë osht tjetër sen”
E për fund, Kenani pati edhe një mesazh kuptimplotë e motivues, për të gjithë ata të cilët jeta i ka sprovuar dhe i sprovon pa ndalë.
“Unë që kam probleme nuk domethënë mu dorëzu. S’bon mu dorëzu, duhet me ecë përpara, me vazhdu me jetën. Mi dhon motiv jetës tane”.


