Please enter at least 3 characters.

Haxhiu: Ridvan Slivova në ditët më të rënda për Kosovën e kuptoi që fotografia mund të bëhet dëshmi

Nga ekspozita “Kronologjia e Lirisë” U.D. Presidentja Haxhiu u bën thirrje qytetarëve të dorëzojnë dëshmi të krimeve të luftës në Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e ekspozitës “Kronologjia e Lirisë”, të fotoreporterit Ridvan Slivova.

Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohje për Ridvan Slivovën, si dhe për gazetaret e gazetarët që kontribuuan në dokumentimin dhe shpalosjen e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.

“E kuptojmë se rrethanat në të cilat keni vepruar kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe sfiduese. Shumë shpesh, në rrezik ka qenë edhe vetë jeta juaj. Prandaj, më lejoni t’ju falënderoj nga zemra për gjithçka që keni bërë dhe për faktin se nuk jeni ndalur asnjëherë në shpalosjen e këtyre krimeve”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.



Ajo tha se sot Kosova ka edhe Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, një institucion i domosdoshëm për dokumentimin, verifikimin dhe ruajtjen e së vërtetës historike.

“Kemi bërë mirë që, si institucione të Republikës së Kosovës, tashmë e kemi këtë Institut, i cili do të ndihmojë në dokumentimin dhe verifikimin e të gjitha krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit”, u shpreh ajo.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se që nga lashtësia, kur njerëzimi zbuloi se drita mund ta ruajë pamjen e botës në një dhomë të errët, fotografia nisi rrugëtimin e saj drejt kujtesës moderne dhe, me kalimin e kohës, u bë dëshmi e ngjarjeve të mëdha historike të popujve.

“Në Kosovë, në kohë lufte, njëri mori armën për ta mbrojtur vendin, një tjetër mjekoi të plagosurit, e dikush mori aparatin për ta mbrojtur të vërtetën. Pikërisht këtë keni bërë ju, z. Slivova, sikurse edhe shumë gazetarë të tjerë që janë sot këtu, por edhe ata që nuk janë më në mesin tonë”, tha U.D. Presidentja.

Ajo shtoi se Ridvan Slivova i përket atyre njerëzve që, në ditët më të rënda për Kosovën, e kuptuan se fotografia mund të bëhej dëshmi, kujtesë dhe zë i një populli që po përjetonte dhunë gjenocidale dhe spastrim etnik.

“Sot, fotografia është bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Me një telefon në dorë, secili mund të fiksojë një çast. Por në kohë lufte, fotografia merr një peshë tjetër. Ajo ruan dëshmi. Kur fjala ndalet nga frika, kur njerëzit dëbohen, kur shtëpitë digjen dhe kur krimi përpiqet të mos lërë gjurmë, aparati fotografik bëhet sy i historisë. Falë atij syri, sot kemi pamje që flasin për kohën tonë më të rëndë dhe për rrugën tonë më të vështirë”, tha ajo.

Sipas U.D. Presidentes, ekspozita “Kronologjia e Lirisë” sjell para nesh një pjesë të asaj periudhe që Kosova e ka jetuar me dhimbje të madhe, por edhe me qëndresë dhe shpresë.

“Fotografitë e Ridvan Slivovës janë marrë në çastet kur historia po ndodhte: në ditët kur njerëzit dëboheshin nga shtëpitë e tyre, kur familjet ndaheshin dhe kur kolona të tëra lëviznin nën qiell të hapur. Prandaj ato janë pjesë e së vërtetës sonë. Ridvan Slivova ka krijuar një arkiv me mbi një mijë fotografi nga ajo periudhë, një pasuri e çmuar dokumentare për Kosovën. Pas secilës prej tyre qëndron syri i fotografit dhe ndërgjegjja e njeriut”, theksoi ajo.

U.D. Presidentja Haxhiu shtoi se në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës dhe në 27-vjetorin e masakrës në Gollak, këto fotografi marrin peshë të veçantë, sepse në to jeton kujtimi i viktimave dhe i të rënëve për liri, si dhe e vërteta e asaj që ndodhi.

“Gollaku mban plagët e veta. Prishtina mban emrat e dëshmorëve të saj. Çdo pjesë e Kosovës ruan kujtesën e saj, të dhimbshme dhe krenare. Detyra jonë është që kjo kujtesë të mos mbetet vetëm në zemrat e familjeve, por të bëhet pjesë e vetëdijes sonë kombëtare”, tha ajo.

U.D. Presidentja njoftoi se, pas përfundimit të ekspozitës, materialet do t’i dorëzohen Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Me këtë rast, ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që posedojnë fotografi, dokumente, incizime apo çdo dëshmi tjetër nga koha e luftës, veçanërisht dëshmi për krimet e kryera në Kosovë, që t’i dorëzojnë ato në këtë Institut.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto materiale të mos mbeten në sirtarë privatë, të shpërndara apo të humbasin, por të ruhen aty ku i shërbejnë kujtesës sonë të përbashkët, drejtësisë dhe historisë sonë”, theksoi ajo.

Duke iu drejtuar të rinjve të Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu tha: “Shikoni këto fotografi me vëmendje. Në to do të shihni vuajtjen e popullit tonë, por edhe forcën e tij për të mbijetuar dhe për të mos u dorëzuar. Do të shihni se liria që gëzojmë sot është paguar shumë shtrenjtë.”

Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohje të thellë për Ridvan Slivovën dhe për të gjithë fotoreporterët e gazetarët e luftës, përfshirë edhe gazetarët e Rilindja, të cilët me guximin dhe përkushtimin e tyre dokumentuan krimet e luftës dhe ruajtën dritën e së vërtetës.