Haradinaj ende optimist për liberalizimin e vizave
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas takimit me anëtarë të Komisionit për legjislacion tha se ende është optimist për liberalizimin e vizave, megjithëse sipas tij është pak e habitshme ngecja në këtë drejtim.
Haradinaj pas takimit me anëtarët e Komisionit për legjislacion ku të pranishëm ishte edhe ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se kushtet për viza janë plotësuar dhe se është mirë të sqarohet pse ka ngecje.
Duke mos komentuar deklaratat e zyrtarëve qeveritar se nëse këtë vit nuk liberalizohen vizat atëherë ka islamofobi, Haradinaj tha se nuk mendon se është anuluar procesi i liberalizimit të vizave dhe ende vazhdon të jetë optimist.
"Nuk mendoj se është anuluar... Ne jemi në proces... është pak e habitshme që po hasim në vështirësi me hy në agjendë. Ne kemi shumë shpresa dhe hala jemi optimist, mirëpo është pak e habitshme kjo ngecje... Pse mos me hy në agjendë...", u shpreh Haradinaj. /Telegrafi/


