PDK nuk merr pjesë në seancë, Hamza: Çështja e presidentit është temë e mbyllur
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka cilësuar joserioze ftesën për seancë të jashtëzakonshme për çështjen e presidentit të vendit, duke thënë se për partinë që drejton kjo temë është e përmbyllur.
Sipas Hamzës, thirrja për një seancë me pikën e vetme për zgjedhjen e presidentit ka karakter manipulues dhe, sipas tij, nuk prodhon asnjë rezultat politik.
“Para pak çastesh e pranuam edhe një ftesë për seancë të Kuvendit të Kosovës, me një pikë të vetme, zgjidhjen e presidentit të vendit. Është një veprim joserioz. Ka për qëllim manipulimin… Nëse vendi po shkon në zgjedhje, përgjegjës është Kurti”, ka deklaruar ai.
Hamza ka akuzuar Albin Kurti dhe Vetëvendosje se mbajnë përgjegjësinë e vetme nëse vendi përfundon në zgjedhje të reja.
Ai tha se ka shprehur gatishmëri për të ofruar zgjidhje dhe për këtë ka zhvilluar takime me Kurtin, por sipas tij, kryeministri nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje konkrete për tejkalimin e situatës.
Sa i përket mundësisë së rizgjedhjes së Vjosa Osmani, Hamza u shpreh se LDK dhe Vetëvendosje i kanë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur atë, nëse emri i saj propozohet për presidente...
I pyetur nëse do të votonte dikë nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, Hamza tha se në këtë drejtim qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar – teksa paraprakisht kishte shprehur mbështetje për ndonjë kandidat nga kjo familje.
Ai nuk tregoi nëse deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën për presidentin./Telegrafi.


