Please enter at least 3 characters.

Guns N’Roses

Ata duken OK. Të veshur shik me rroba të shtrenjta, plot buzëqeshje, plot butësi. Flasin për paqe, demokraci, lumturi, integrime… Ua shtrëngojnë duart, përqafohen me qytetarë e fotografohen me ta. Mund t’iu dhurojnë edhe lule mësueseve apo bombona fëmijëve.

Por, pas tyre qëndrojnë tipa të fortë. Të dhunshëm. Me alltia. Asi që janë në gjendje të bëjnë çmos - vetëm që mbi liderin e partisë të mos bjerë gjë e keqe.

Nëse duhet ta kërcënojnë dikë - ata janë aty. Nëse duhen para - ata sërish janë aty. Edhe nëse duhen shërbime të tjera ata janë aty. Mjafton që lideri t’ua bëjë me sy. T’i ndërsejë. Për ta mbrojtur nga ata që nuk ia duan të mirën, që nuk i vijnë përshtati.

Shumica e partive politike në Kosovë mbështeten nga struktura që qëndrojnë në hije dhe dalin në sipërfaqe kur duhet qëruar hesapet me dikë. Atëherë e demonstrojnë forcën. I kallxojnë alltiat. Janë struktura që mbledhin miliona për fushata, paguajnë për ta ndrequr imazhin e liderit apo për t’iu prishur punë rivalëve politikë.

Shumë do të doja që emrin e njërit ndër rock grupet e mia të preferuara të mos e përzieja në këtë mesele. Por, nuk gjeta krahasim më të mirë për të shpjeguar situatën me liderët e fortë dhe ata që ua ruajnë shpinën. Nuk besoj se ndonjërit nga ta i pëlqen muzika e Guns N’Roses. Sepse, ata provojnë të shfaqen më fin, më aristokratë. Thonë se ju pëlqen muzika klasike, blues e jazz.

Muzikas hyn te ajo pjesa “e trandafilave”, imazhi pozitiv i tyre. Kurse pjesa “e alltiave” shfaqet atëherë kur duhet. Ata dinë të bëhen agresivë, dinë të hakmerren madje edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tyre. Të mos flasim për rivalët, për kritikuesit a “gojëkëqinjtë”. Atëherë çarten dhe i ndërsejnë “të fortët”.

Pas katër muajve, kur të fillojë fushata parazgjedhore, ka gjasa që alltiat të dalin në shesh. Ato tash po mbushen barut. Sikurse arkat që po mbushen miliona. Underground. “Beteja” do të nisë. Mbi podiume të stolisura me parulla e xixëllima, liderët do të paraqiten të buzëqeshur, me gojën plot premtime, plot dashuri.

Rastësisht, ato ditë më asociojnë prapë në Guns N’Roses. Në këngën e tyre “November Rain”. Shiu i nëntorit, bashkë me zgjedhjet, mbase do t’na i sjell edhe alltiat. Trandafilat po se po. “November Rain” me Guns N’Roses.

Sa mirë do të ishte që trandafilat të rriten e baruti të laget. Por, është e pamundur. Këta njerëz janë mësuar që në njërën dorë ta mbajnë trandafilin e në tjetrën alltinë. I vetmi kombinim që i mban të fortë.

(Editoriali i gazetës “Profil”)