Please enter at least 3 characters.

Gruaja prizrenase, shtyllë e zhvillimit socio-ekonomik të qytetit

- Një qasje alternative për rolin dhe kontributin e gruas prizrenase -

Roli i gruas në Kosovë vazhdon të jetë temë tabu. Kjo sidomos në politikën e vendit, e cila udhëhiqet nga burrat dhe në të cilën gratë plotësojnë vetëm kuota. Për gratë dhe kontributin e tyre flitet rrallë, kryesisht në ditë të caktuara ndërkombëtare, ndërsa janë vetë gratë, lobi i tyre dhe ‘tek tuk’ ndonjë organizatë ndërkombëtare që merren me ngritjen dhe trajtimin e çështjeve që prekin drejtpërdrejtë gruan dhe rrjedhimisht shoqërinë kosovare.

Pa i hyrë thellë analizës për gjendjen e përgjithshme të gruas në shoqërinë kosovare, dëshiroj të shpalos një alternativë për njohjen, mirënjohjen dhe institucionalizimin e rolit të gruas në Prizren dhe përfitimet konkrete nga kjo qasje alternative. Një alternativë e cila shkon përtej sistemit të kuotave përfaqësuese dhe barazisë gjinore të parë vetëm si numër, domosdo duhet plotësuar.

Po nisem nga një e vërtetë e njohur e jetës shoqërore dhe afariste në Prizren: Gruaja është shtylla themelore mbi të cilën qëndron i gjithë organizimi dhe suksesi i familjes dhe biznesit. Ndërmarrësit e Prizrenit këtë fakt e dinë dhe e pranojnë, se, Gruaja është garanca kryesore që një ndërmarrje, qoftë e vogël apo e mesme të ketë sukses dhe jetëgjatësi, por ky rol i gruas ende vazhdon të mbetet në nivel joformal. Në anën tjetër nuk është i vogël numri i grave të Prizrenit, të cilat kanë patur guximin që vetë të nisin dhe të udhëheqin biznese, madje shumë të suksesshme.

Shkurt, gruaja prizrenase shquhet me një shpirt të kalitur të ndërmarrësisë dhe guxim të mahnitshëm afarist. Mbi të gjitha, dihet botërisht se çdo grua e Prizrenit posedon së paku një shkathtësi artizanale dhe shumë shpesh dora e gruas prizrenase krijon produkte të mahnitshme që janë të nivelit të veprave të artit. Me këto cilësi të jashtëzakonshme, është mëkat që potenciali i gruas së Prizrenit të mos shfrytëzohet për të shumëfishuar efektin pozitiv që mund të prodhojnë këto cilësi.

Ekzistojnë shumë shembuj nga vende të ndryshme në zhvillim për ofrimin e mundësive kreditore për gratë të cilat dëshirojnë të kenë bizneset e tyre. Përveç kësaj, qeveria lokale e Prizrenit mund të ofrojë lehtësime tatimore për bizneset që regjistrohen dhe udhëhiqen nga gratë, për të stimuluar aktivitetin afarist të tyre. Paralelisht, duhet punuar në disa drejtime tjera, në mënyrë që veprimet për shfrytëzimin e potencialit të gruas për zhvillimin e Prizrenit, të jenë efektive.

Rritja cilësore e pjesëmarrjes së grave në qeverisjen lokale duhet të jetë prioritet i kryetarit të ardhshëm të komunës, duke shkuar një hap larg kuotave dhe duke ia besuar grave të Prizrenit udhëheqjen e resorëve të rëndësishëm të komunës. Mbi të gjitha, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile dhe universitetet e fakultetet në Prizren duhet stimuluar aktivitetin akademik të studenteve, duke iniciuar forume debati dhe analizash ku do të derdhej dhe kanalizohej truri i gruas prizrenase.

Natyrisht, e gjithë kjo qasje alternative ndaj rolit dhe kontributit të gruas në shoqërinë prizrenase, duhet të shoqërohet me bartjen e iniciativave konkrete tek fshatrat e komunës, ku duhet punuar për t’i zgjuar qelizat e fjetura të veprimtarisë së gruas për qëllime zhvillimore. Një qeveri e ardhshme lokale dhe një kryetar i ardhshëm i arsyeshëm dhe vizionar, doemos duhet ta kenë çështjen e gruas në mesin e prioriteteve politike dhe të shfrytëzojnë në mënyrë të mençur një potencial të jashtëzakonshëm, për të cilin të gjithe flasin e janë të vetëdijshëm, por asnjëherë deri tani nuk është shfrytëzuar në mënyrë të drejtë.

Shoqëria kosovare, përfshi edhe atë prizrenase, do të arrijë të emancipohet kulturalisht dhe të ngritet shpirtërisht, vetëm nëse në qendër të këtyre proceseve e vendos gruan dhe e kanalizon drejtë dhe efektivisht potencialin e saj zhvillimor. Në të kundërt, do të vazhdojmë të zvarritemi me hapa të ngadalshëm dhe brenda një mentaliteti të mbyllur me mundësi të transformimit në qeverisje autoritare, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

(Autori është kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)