Please enter at least 3 characters.

Granit Xhaka hyn në historinë e Zvicrës, barazon një rekord të jashtëzakonshëm në Kupën e Botës

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka ka shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e futbollit zviceran, duke arritur një rekord të veçantë gjatë paraqitjes së tij në ndeshjen ndaj Katarit në Kupën e Botës 2026.

Kapiteni i Zvicrës regjistroi paraqitjen e tij të 13-të në fazat finale të Kampionatit Botëror, duke u bërë futbollisti me më së shumti ndeshje të luajtura për helvetikët në këtë kompeticion prestigjioz.

Me këtë arritje, Xhaka u barazua me mbrojtësin Ricardo Rodriguez, ndërsa të dy ndajnë tashmë vendin e parë në këtë statistikë historike.

Rekordi mbahej më parë nga ish-ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, i cili gjithashtu kishte regjistruar 13 paraqitje në Kupat e Botës para se t’i jepte fund karrierës ndërkombëtare.

Për Xhakën, Botërori i vitit 2026 përfaqëson pjesëmarrjen e katërt radhazi në skenën më të madhe të futbollit.

Mesfushori ka qenë pjesë e Zvicrës edhe në edicionet e Brazilit 2014, Rusisë 2018 dhe Katarit 2022, duke dëshmuar vazhdimësi të jashtëzakonshme në nivelin më të lartë ndërkombëtar.

Që prej debutimit të tij me fanellën zvicerane, Xhaka është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të përfaqësueses.

Ai jo vetëm që ka qenë lider në mesfushë, por edhe një nga futbollistët më të qëndrueshëm dhe më të besuar të ekipit ndër vite.

Nën shiritin e kapitenit, 33-vjeçari vazhdon të luajë rol kyç në ambiciet e Zvicrës në Botërorin që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.

Duke pasur parasysh se turneu sapo ka nisur, Xhaka ka mundësi reale ta lërë pas Rodriguezin dhe të bëhet i vetëm futbollisti me më së shumti paraqitje për Zvicrën në historinë e Kampionateve Botërore./Telegrafi/