Please enter at least 3 characters.

Gjymtimi i flamurit shqiptar

Është e vërtet se nuk luftohet për flamur, por rreth flamurit. Në çastin kur bie flamuri, atëherë pala tjetër ka të drejtë t’i gëzohet fitores së asaj beteje. Kështu veprohet edhe kur fitohet lufta, pra, ngrihet flamuri nëpër fushat e betejës dhe pastaj nëpër të gjitha institucionet e shtetit. Në rrjedhat e mëtutjeshme, i njëjti flamur vazhdon t’i përgjigjet murrlanit të kohëpaskohshëm në çdo cep të vendit, futet në kushtetutën e shtetit dhe për flamurin kombëtar caktohen dhe miratohen ligje dhe sqarimet të veçanta.

Ky sqarim shumë i thjeshtë, ka gjasa të ndërlikohet atëherë kur në një shtet veprojnë dhe jetojnë dy kombësi të mëdha, duke mos i përjashtuar edhe pakicat tjera kombëtare. Ky ndërlikim, zellshëm vazhdon të kultivohet në shtetin e Maqedonisë, shtet i cili përskaj shumë problemeve, fare s’i bëhet vonë që të kultivojë edhe shumë sfida tjera, mbase përballë këtyre sfidave, përditshmëria na rrëfen se gjithherë del sfidues dhe ngadhënjyes. Se si këtë e arrin akoma shkenca nuk e ka vërtetuar, edhe pse nuk është gjithaq e vështirë një përgjigje e tillë.

Shqiptarët brez pas brezi me krenari luftuan rreth sfondit të kuq dhe shkabës së zezë në mes. Ky flamur përgjatë historisë pësoi ndryshime të vogla, edhe pse ndryshimet e vogla në flamur janë gabime të mëdha dhe i kushtojnë shtrenjtë historisë së një kombi. Flamuri kombëtar shqiptar është sinonim i unifikimit të identitetit shqiptar, ky flamur e mban gjallë shpresën e bashkimit kombëtar, përmes këtij flamuri kemi mundësi që të tjerëve t’i themi se kemi histori të lashtë, ndaj cenimi apo abrogimi i këtij simboli kombëtar është tentim për ta vrarë historinë tonë të lavdishme, për të cilën rrëfejnë vetë dëshmorët e të gjitha kohërave, mbase edhe për së vdekuri ia tërheqin vërejtjen atyre që lejojnë t’i nëpërkëmbet ky flamur.

Pavarësisht kësaj krenarie dhe këtij realiteti historik, flamurit shqiptar duket se nuk e ka ndërmend t’i ndërpritet rruga e evoluimit. Pas rënies së komunizmit, flamurit shqiptar ju hoq ylli, historianët pohuan se pikërisht tani ky flamur mund të shërbej si këmishë që çdo shqiptarit i rrinë bukur. Pastaj rrodhi lufta në Kosovë. Ushtarët çlirimtar luftuan kundër pushtuesit serb rreth të njëjtit flamur dhe qefini mbështjellës i dëshmorëve ishte i njëjti flamur. Lirinë e Kosovës dhe gjithë përvjetorët që kishin të bënin me ecejaket e çlirimit të vendit u shënuan me flamurin kuq e zi. Por nuk vonoi shumë, kur arkitekti i kombit kosovar, z. Rugova, propozoi një flamur të ndryshëm prej atij kombëtar.

Duket se flamuri kombëtar atë s’e kishte ngrohur sa duhet, ndaj propozoi që Kosova si shtet në vete, duhet ta ketë flamurin e veçantë, identitetin dhe gjuhën, edhe pse këto dy të fundit ai publikisht asnjëherë s’i kishte thënë, por një gjë të tillë pas vdekjes së tij, pinjollët e vijës ideologjike të tij, si fëmijë që s’dinë ta mbajnë gjatë të fshehtën, ia zbuluan edhe këtë marrëzi kombëtare. Fati e deshi që marrëzitë të përplaseshin ndërmjet veti, ku pas disa vitesh doli se ai flamur, të paktën kishte pas diçka kombëtare, kjo ngase Kosova e përqafoi një flamur që edhe shqiptarit më të dobët në kuptimin kombëtar i erdhi keq për një përzgjedhje të tillë. Edhe kësaj radhe ata që kishin luftuar rreth flamurit kombëtar heshtën, madje heshtën dhe nuk ndërmorën ndonjë gjë konkrete edhe ata që “Flamurin e Rugovës” e kishin djegur publikisht.

Evoluimi dhe nëpërkëmbja e flamurit kombëtar vazhdoi dhe akoma vazhdon. Përdorim të ngjashëm të flamurin kishim edhe në luftën e 2001-shit në Maqedoni. Pastaj marrëveshja që ndërpreu këtë luftë, filloi t’i prodhojë shkëndijat e para të paqartësisë së përdorim të këtij flamuri. Kjo u mundësua pikërisht kur pala tjetër, shqiptarëve filloi t’i jep detyra të matematikës me ekuacione me shumë të panjohura, kur dihej mirëfilli se të angazhuarit tanë kishin problem me tabelën e shumëzimit (s’dinin asgjë të shumëzonin për mirëqenien tonë). Kështu kjo paqartësi e solli mugullimin dhe efektin e vet, ku në vitin 2007 Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, abrogoi nenet që rregullonin përdorimin zyrtar të flamurit shqiptar. Reaguan shqiptarët, Tirana zyrtare nuk u përzije në çështjet e brendshme të Maqedonisë, Prishtina ishte e zënë me problemet e veta, kurse zërin e qytetarëve shqiptar e dogji sa ora rrufeja, por shpresat nuk u vyshkën, ujitësit e këtyre shpresave ishin politikanët, të cilët premtonin abrogimin e atij abrogimi.

Meqë zyrtarisht e ndaluan, atëherë qytetarët shqiptar jozyrtarisht nëpër dasma e përdornin flamurin e tyre. Politikanët panë dhe kuptuan se ky abrogim patjetër duhet shembur, ku pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, propozuan dhe miratuan ligjin për përdorim zyrtar të flamujve të bashkësive etnike (edhe këtu emri shqiptar nuk përmendet, vazhdojmë të trajtohemi si bashkësi pakicë dhe si numra dyshifror). Ç’të shohësh prej këtij miratimi. Në Kumanovë prapë do të valojë vetëm flamuri maqedonas, diku edhe ai serb, assesi ai shqiptar, sepse për fatin tonë të keq nuk jemi mbi 50 për qind. Dikush mund të thotë, nuk ju duket e arritur se në Tetovë tashmë zyrtarisht do të përdoret flamuri kombëtar shqiptar, akoma unë pa dhënë përgjigje, tjetri përgjigjet, flamuri jonë nuk do të shihet prej atij maqedonas, sepse flamuri shtetëror duhet të jetë 1/3, më i madh se i bashkësive etnike, ndaj urime na qoftë metamorfoza e radhës e flamurit kombëtar shqiptar!