Gjykimi për Banjskën: Fajtorë janë ata që ndodhen në arrati
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dëgjuar edhe fjala përfundimtare e avokatit Millosh Delleviq, i cili mbron Vlladimir Tolliqin – i akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Në sallën e gjyqit ka folur edhe ky i fundit, teksa mohoi se ka qenë i përfshirë dhe se “ishte nisur pa e ditur se çfarë do të ndodhte”.
Në këtë seancë po marrin pjesë të tre të akuzuarit, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Vlladimir Tolliq ka mohuar se qenë pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjskë, ani pse e pranoi që atë ditë ka qenë në fshat.
“Unë kam qenë në Banjskë atë ditë dhe këtë gjë nuk e kam mohuar asnjëherë. Por e tërë kjo që më vihet në barrë, dhe çfarë më shkruhet në aktakuzë si veprimet e mia, pjesëmarrja, kjo gjë nuk është e vërtetë. Unë nuk e kam ditur se çfarë do të ndodhë atë ditë. Jam nisur verbërisht sepse askush nuk më ka thënë se ku po shkojë. Edhe vet jam çuditur kur jemi gjendur në fshatin Banjskë. Dhe as nuk kam mundur të supozoj se do të vije deri te tragjedia, as nuk kam dashur të marrë pjesë në atë e lëre më që të shkaktojë çfarëdo dhune. Unë atë ditë kam qenë i plagosur rëndë dhe kam qenë te kufiri i jetës dhe vdekjes. Dhe në atë moment vetës nuk i kam ofruar ndihmën e parë sepse kam qenë vet e që gjithsesi edhe më vonë nuk ka pasur mjek, doktor, i cili më ka operuar dhe më ka shpëtuar jetën”, ka thënë ai para trupit gjykues.
I akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë, i tha trupit gjykues se ai jo, por fajtorë janë ata që ndodhen në arrati.
“Sot për vetën dëgjoj se si unë jam terrorist, se si jam përgjegjës për vdekjen e policit, si kam mundur ta shkëpus veriun e Kosovës. Dhe vetëm pyetem se ku janë provat për tërë këto gjëra. Askush nuk ka thënë se kam gjuajtur, askush nuk ka thënë se e kam sulmuar dikë apo lënduar. Askush nuk ka thënë se kam pasur komandë apo ndonjë rol tjetër. E pasi që askush nuk e ka thënë këtë, e pasi që edhe nuk ka prova për këtë, unë ju lutem që t’i bëni një pyetje vetës: A duhet unë të gjykohem për diçka që nuk e kam bërë? Dhe a duhet të dënohem për diçka që janë fajtor apo përgjegjës të cilët janë në arrati”, ka shtuar ai.
Para trupit gjykues, sot në sallën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka prezantuar fjalën përfundimtare edhe avokati i këtij të akuzuari, Millosh Delleviq, raporton KP.
Ai tha se kryeministri Albin Kurti përmes politikave të tij ka ndikuar në situatën në veri të Kosovës.
“Me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, kemi ardhur deri te situata që ai me politikën e tij ka dëshiruar që ta zbatojë që këto institucione të Republikës së Serbisë që t’i anulojë. Si pikë e parë, si një top i vogël në maje të malit kriza rreth tabelave të regjistrimit, në një mënyrë ka sjell deri tek ky konflikt i armatosur në Banjskë. Pse e them këtë? Në veri të Kosovës, qytetarët kanë mundur që të vozisin me tabela të regjistrimit, të cilat i ka lëshuar Policia e Mitrovicës së Veriut në kuadër të Republikës së Serbisë. Politikat e qeverisë në Prishtinë kanë qenë që kjo të ndalohet, gjë që ka shkaktuar, hapat në vijim të komunitetit serb në veri të Kosovës. Sipas meje, ky potez, i pari i gabuar i politikës së Serbisë në veri ka qenë lëshimi i Policisë së Kosovës, nga ana e policëve të Kosovës, të pjesëtarëve të nacionalitetit serb. Pse? Sepse nuk kanë dashur të zbatojnë politikën e qeverisë në Prishtinë që të dënojnë qytetarët të cilët vozisin veturat me tabela të regjistrimit KM”, ka thënë ai.
Për këtë situatë fajësoi edhe mediat, duke thënë se “këtë krizë e kanë thelluar edhe media të caktuara nga Prishtina”. Ani pse vet komentoi se vendimet e kryeministrit Kurti, ai tha se “objekti i këtij gjykimi nuk është situata politike”.
“Lënda e këtij gjykimi, objekti i këtij gjykimi nuk është situata politike. Objekt i këtij gjykimi duhet të jete ekskluzivisht veprimet konkrete të këtyre tre personave të akuzuar që sot gjenden në gjykatore. A kemi ardhur deri këto veprime, në bazë të aktakuzës të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të provave të administruara, jam i sigurt se nuk kemi ardhur. Aktakuza e Prokurorisë Speciale e përshkruan ngjarjen dhe grupin, thekson se udhëheqësi i grupit ka qenë Milan Radojiçiqi se pjesëtarë të grupit janë theksuar në despozitivin e parë në mesin e të cilëve është edhe Vlladimir Toliq dhe se qëllimi i tyre ka qenë destabilizimi serioz dhe shkatërrimi i strukturave ekonomike, juridike dhe kushtetuese të Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas avokatit, nuk ka prova që klienti i tij ka pasur për qëllim këtë vepër penale.
“Nuk mund të dënohet një person vetëm pse ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes. Kërkohet që të provohet qëllimi i tij dhe vullneti i tij, përkatësisht veprimi i tij. Dy fakte Prokuroria Speciale i përdor kundër Vladimir Tolliqit, fakti që ka qenë i plagosur dhe me uniformë. Këto dy fakte nuk provojnë asgjë. Plagosja mund të jetë fakt por nuk mund të jetë provë e fajësisë”, theksoi ai.
Ani pse klienti i tij ka qenë në fshat ditën e sulmit, ai tentoi ta shfajësojë Vlladimir Tolliqin, duke thënë se nuk ka kryer veprën penale të terrorizmit.
“Nuk ka këtu elemente të veprës penale të terrorizmit. Nuk do të pretendentojë se Vlladimir Tolliq është i pafajshëm. Por nuk është fajtor për këtë vepër penale”, shtoi ai.
Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator pati ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.
Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpërlarje të parasë.
Në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës.
Javën e kaluar është arrestuar Stefan Raduloviq, i dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.


