Gjobitet kreu i rinisë së partisë "E Majta", shpalosi flamurin palestinez në ndeshje sportive
Kryetari i krahut rinor të partisë E Majta, “Rinia e Kuqe”, Andrej Kuculovski, është gjobitur me 550 euro pasi gjatë një ndeshjeje sportive ka shpalosur flamurin palestinez, njoftoi partia.
Sipas partisë gjoba është shqiptuar me arsyetimin për “nxitje të dhunës dhe urrejtjes”, për shkak të shfaqjes së flamurit palestinez. Partia reagoi ndaj vendimit, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe politikisht të motivuar.
Pas incidentit, Kuculovski është ndaluar nga policia dhe është larguar me pranga nga salla sportive e Qendrës Sportive “Jane Sandanski”.
Përmes një postimi në Facebook, Kuculovski mbrojti veprimin e tij, duke e cilësuar atë si akt solidariteti me popullin palestinez.
“Solidariteti është tipari kryesor i socializmit dhe luftës anti-imperialiste në përgjithësi. Populli maqedonas është në anën e popullit palestinez… Ne jemi në anën e duhur të historisë”, ka shkruar ai, duke përfunduar me thirrjen “Liri për Palestinën”.
Rasti ka nxitur reagime në opinion, ndërsa pritet edhe qëndrimi zyrtar i autoriteteve lidhur me bazën ligjore të gjobës dhe ndërhyrjen policore.


