Gjilani përfiton automjet zjarrfikës nga Kantoni i Cyrihut
Komuna e Gjilanit ka pranuar një automjet zjarrfikës si donacion nga Kantoni i Cyrihut, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështetjes nga mërgata.
Sipas njoftimit, automjeti i është dorëzuar Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan nga organizata GVZ, me iniciativën e aktivistit Ilijaz Ilijazi dhe në bashkëpunim me shoqatën “17 Shkurti”.
Kryetari i komunës, Alban Hyseni, e ka cilësuar këtë donacion si tejet të rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve.
“Ky është një donacion tejet i rëndësishëm tashmë është vënë në shërbim të sigurisë së qytetarëve tanë. Falë bujarisë së autoriteteve të Cyrihut dhe organizatës GVZ, Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan është pajisur me një automjet të ri zjarrfikës dhe pajisje përcjellëse”, tha Hyseni.
Ai ka theksuar se realizimi i këtij projekti është mundësuar falë angazhimit të aktivistit Ilijaz Ilijazi dhe shoqatës “17 Shkurti”.
“Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e palodhshëm të aktivistit Ilijaz Ilijazi dhe shoqatës “17 Shkurti”, të cilët dëshmojnë çdo ditë se mërgata jonë është shtylla e pathyeshme e zhvillimit të Kosovës”, u shpreh Hyseni.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, si dhe përfaqësues të autoriteteve zvicerane, përfshirë Mario Fehr, anëtar i Qeverisë së Kantonit të Cyrihut, Daniel Wäfler, anëtar i Këshillit Kantonal dhe Renato Mathys, shef i Shërbimit të Zjarrfikjes.
“Ky automjet do të rrisë ndjeshëm kapacitetet tona reaguese për mbrojtjen e jetës dhe pronës. Bashkëpunimi mes Gjilanit dhe Cyrihut po krijon ura të forta suksesi që prekin drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve tanë. Faleminderit Zvicrës, faleminderit mërgatës tone”, tha Hyseni.
Ndërkaq, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani, ka shprehur mirënjohje për këtë donacion.
“Ky donacion është edhe një urë lidhëse mes Kantonit të Cyrihut dhe Komunës së Gjilanit, duke dëshmuar se bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve tona mund të sjellë rezultate konkrete dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët e dy vendeve tona”, tha Shabani.
Sipas tij, pajisjet e reja do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. /Telegrafi/


