Gjen kuletë me para, qytetari nga Istogu e dorëzon në polici
Një qytetar nga Istogu ka dorëzuar në polici një kuletë të gjetur në qytetin e Junikut, e cila përmbante një shumë të konsiderueshme parash dhe disa kartela bankare.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 5 mars 2026 në Stacionin Policor në Junik është paraqitur qytetari Shpëtim Kabashi nga Istogu, i cili kishte gjetur një kuletë në qytetin e Junikut dhe e kishte dorëzuar atë tek autoritetet policore.
Në kuletë ndodheshin 445 funta angleze, 50 franga zvicerane, 10 euro, 42 mijë e 600 lekë shqiptare si dhe pesë kartela bankare.
Policia njofton se më 6 mars 2026 është identifikuar dhe kontaktuar personi të cilit i kishte humbur kuleta.
Ai është ftuar në Stacionin Policor në Junik, ku zyrtarët policorë ia kanë kthyer kuletën së bashku me të gjitha mjetet financiare që ndodheshin në të.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarin për veprimin dhe për nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare që ka treguar me këtë rast. /Telegrafi/


