Gëzim Kelmendi: Unë, i pari më 2011, e ngrita zërin për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi
Kelmendi ka theksuar se është kundër marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe (AKS) e cila, sipas tij, po e cenon integritetin territorial të Kosovës dhe se “përbën shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit, që është vërtetuar edhe Gjykata Kushtuese”.
“Për marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit Kosovë-Mal i zi nuk kam as çka të shtoj nga ajo që kam thënë më herët. Këtë temë, me mburrje e them, kam qenë i pari që e kam ngritur në Kuvendin e Kosovës. Mund t’i lexoni transkriptet e datës 25 mars 2011, e do t’i vërtetoni këto që po i them”, ka theksuar ai.
Kelmendi, duke folur për protestat e opozitës, ka thënë se protesta e drejtë e garantuar me Kushtetutë, ndaj nuk sheh ndonjë problem në këtë aspekt.
“Parimisht jam pro protestës, mirëpo më kanë brengosur pamjet e rënda të së shtunës - eskalimi i saj në dhunë. Pamjet e policëve të lënduar më kanë bërë të ndihem keq. Paramendojeni që vajza ose djali i ndonjërit prej policëve të ketë qenë para televizorit e ta shoh prindin e lënduar. Policët, shumica prej tyre, janë më të pafajshmit në këtë mes. Shumë qytetarë, në takimet që i kam me ta, më thanë që kanë marrë pjesë në protestë për ta kundërshtuar këtë pushtet, i cili po e rëndon jetën e tyre. Ata qytetarë ishin kundër Qeverisë dhe nuk kishin dalë për t’i mbështetur partitë opozitare”, ka thënë Kelmendi.
Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është i vetmi opsion për të dalë nga kjo krizë të cilën po e kalon vendit tash e sa muaj.
“Të maten forcat në terren dhe të shihet se kënd po e mbështesin qytetarët përmes votës së tyre”, ka shtuar Kelmendi. /Telegrafi/


