George Clooney bëhet viral pasi i prek të pasmet e mikut të tij Adam Sandler në premierën e filmit "Jay Kelly"
George Clooney ka treguar sërish anën e tij komike, teksa u pa duke vendosur dorën mbi pjesën e pasme të mikut dhe kolegut të tij, Adam Sandler, gjatë premierës së filmit "Jay Kelly" të mbajtur të enjten në Kaliforni.
Aktori 64-vjeçar, i cili luan rolin kryesor të Jay Kelly, u shfaq në tapetin e kuq me shumë karizëm përkrah Adamit, 59 vjeç, që interpreton rolin e Ron Sukenick, duke dëshmuar miqësinë dhe afërsinë e tyre brenda dhe jashtë kamerës, shkruan DailyMail.
Clooney u duk më elegant se kurrë, i veshur me një kostum gri të prerë në mënyrë perfekte, të kombinuar me një këmishë të zezë. Nga ana tjetër, Adam Sandler zgjodhi një kostum blu të errët dhe një këmishë të zezë, duke shtuar një prekje sportive me atlete të zeza.
Aktorja Riley Keough, 36 vjeçe, e cila luan rolin e Jessica Kelly, mahniti me një fustan të shkurtër, të zi pa rripa, që e kishte kombinuar me një xhaketë sateni të shkurtër. Ndërsa bashkëshortja e Adamit, Jackie, 51 vjeçe, tërhoqi vëmendjen me një fustan të ngushtë prej dantelle të zezë dhe taka elegante.
Në premierë mungoi bashkëshortja e Clooney-t, avokatja e njohur Amal, 47 vjeçe, e cila zakonisht e shoqëron në evente të tilla promovuese.
Në 'trailer'-in e parë të filmit, personazhi i Clooney-t, Jay, shihet duke reflektuar mbi jetën e tij, ndonëse është i adhuruar nga fansat dhe stafi. Gjatë një udhëtimi në një festival filmi në Itali, i shoqëruar nga menaxheri i tij (roli i Sandler), ai shpallet “heroi i kinemasë”, përpara se t’i bëhet pyetja therëse pse gjithmonë luan “vetveten”.
Në skenë, ai i kthehet me humor: “E dini sa e vështirë është të luash vetveten? Provojeni ju”.
Në film, Jay përpiqet t’i kujtojë vetes se kush është ndërsa nis një aventurë të çmendur nëpër Evropë me mikun e tij – një udhëtim që tregon se shkëlqimi i Hollywood-it nuk e ka më magjinë e dikurshme.
Filmi, që tashmë ka fituar Çmimin e Kompozitorit në Montclair Film Festival, është regjisoruar nga Noah Baumbach dhe bashkëshkruar nga aktorja britanike Emily Mortimer.
Në përshkrimin zyrtar thuhet: “Dy miq të moshës së mesme rizbulojnë shpirtin e tyre rinor gjatë një fundjave të çrregullt ribashkimi, përballen me situata qesharake dhe momente të ndjera që i detyrojnë më në fund të rriten”.
Në premierë morën pjesë edhe aktorët e mirënjohur Juliet Mills, 83 vjeç, dhe Maxwell Caulfield, 65 vjeç, të cilët u shfaqën shumë të dashuruar, si dhe Michael Nouri, 79 vjeç, i cili pozuar në tapetin e kuq me qenin e tij.
Producenti Dan Lin u shfaq elegant me një kostum blu të errët, të kombinuar me një bluzë të bardhë polosh dhe atlete të bardha.
George Clooney, me një karrierë që shtrihet në mbi 40 vite, ka fituar çmime të shumta – përfshirë një Oscar për rolin e tij në filmin Syriana.
Megjithatë, në një intervistë të fundit për Variety, aktori iu përgjigj me humor kritikave se “luan gjithmonë vetveten”: “A thonë njerëzit se unë luaj vetëm veten? Nuk më intereson fare,” tha ai me një buzëqeshje ironike.
“Janë shumë pak aktorë në moshën time që mund të bëjnë si komedi të mëdha si O Brother, Where Art Thou?, ashtu edhe filma seriozë si Michael Clayton apo Syriana. Nëse kjo do të thotë se po luaj veten, atëherë nuk më bëhet vonë,” shtoi Clooney, duke përmbyllur me të njëjtën shprehje si personazhi i tij Jay Kelly: “E keni provuar ndonjëherë të luani vetveten? Është më e vështirë sesa duket”. /Telegrafi/


