Please enter at least 3 characters.

FIBA kërkon “Premier Ligën Ballkanike”, Serbia kushtëzon me Kosovën

2016/01/fiba-k-euml-rkon-ldquo-premier-lig-euml-n-ballkanike-rdquo-serbia-kusht-euml-zon-me-kosov-euml-n_hd.jpg

Kjo ligë fillimisht nuk do të përfshijë Kosovën, sepse kjo e fundit duhet që të sqarojë modalitetet e pranimit në FIBA me këtë të fundit.

Liga do të quhet “Premier Liga e Basketbollit” me seli në Podgoricë dhe do të ketë statusin e një lige të re të rajonit, transmeton Koha.net.

Kapitali fillestar i Ligës do të ishte 8000 euro, prej të cilave Federatat anëtare do të kontribuonin nga 1200 euro, kurse FIBA 800 euro.

Rrjedhimisht, Federatat do të kishin nga 15% të aksioneve në ligën e re, kurse FIBA 10%.

Kjo do të ishte ndryshe nga liga Aktuale ABA, ku klubet janë aksionare e jo federatat.

Organi më i lartë i kësaj Lige pritet të jetë kuvendi, në të cilin do të jenë 7 anëtarë, nga 1 për secilën Federatë dhe 1 nga FIBA.

Anëtari i FIBA-s do të ketë të drejtën e vetos për çdo vendim, pra gjithçka do të jetë në dorë të FIBA-s.

Bordi i Drejtorëve do të përbëhej nga 15 anëtarë, 8 prej të cilëve do të ishin nga klubet (nga dy për klubet më të mira të Serbisë dhe Kroacisë), 6 nga federatat dhe, sërish, 1 nga FIBA, transmeton Koha.net.

Drejtori Ekzekutiv, i cili do të ketë rrogën 3000 euro, do të zgjidhet çdo 4 vjet.

Secili nga 12 klubet e ligës, para pjesëmarrjes do duhej të depozitonin nga 20000 euro për pjesëmarrje.

Në gjithë sezonet, 11 licenca do të ndaheshin në këtë sistem – nga 3 për Serbinë e Kroacinë, dy për Slloveninë dhe nga 1 për Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Licencën ekstra e merr vendi që ka performancë më të mirë, e që në sezonin e parë do t’i takonte Serbisë.

Deri tani nuk dihet për progresin e klubeve në Evropë, mirëpo thuhet se klubet më të mira do të luanin në Euroleague e Eurocup, pa përmendur shifra të sakta.

Përderisa modalitetet tjera kanë mbetur për t’u sqaruar, merret vesh se FIBA ka shkuar tek përfaqësuesit serbë me këtë ide, kurse përgjigja e klubeve serbe ishte se ato kanë 4 kërkesa për FIBA-n, në mënyrë që të marrin pjesë në këtë garë.

Në mbledhjen e mbajtur me përfaqësuesin e FIBA-s Kosta Ilijevi, klubet serbe kanë paraqitur kërkesat e veta lidhur me paralajmërimin e formimit të Ligës së parë rajonale në basketboll .

Në fund të mbledhjes, përfaqësuesit e klubeve serbë kishin katër kërkesa, nga të cilat kryesorja është kërkesa e garancisë e me shkrim nga FIBA se në të ardhmen në këtë ligë nuk do të ketë klube nga Kosova pasi që FIBA së fundmi e ka pranuar Kosovën në radhën e veta.

Kërkesa tjetër e klubeve serbe është sërish garancioni me shkrim se skuadrat që do të zënë vende të para në “Premier Ligë” do të marrin pjesë drejtpërdrejtë në “Euroleague” dhe “Eurokupë”, raporton Koha.net.

Tjetër kërkesë e klubeve është që selia e kësaj lige, që për momentin po propozohet të jetë në Podgoricë, doemos të jetë në Beograd.

Po ashtu klubet kanë kërkuar që ato të vazhdojnë të luajnë në ligën vendore, pavarësisht pjesëmarrjes në “Premier Ligë”.

Duke parë kërkesat e klubeve serbe dhe konfrontimet që FIBA pritet të ketë me ligat e lartpërmendura evropiane, pritet një punë shumë e vështirë në formimin e kësaj lige, e cila do të sillte ndeshje interesante midis skuadrave nga Ballkani.