Please enter at least 3 characters.

Festoi në paradën e titullit me flamurin palestinez, Izraeli godet ashpër Yamalin

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, e ka dënuar publikisht Lamine Yamalin pasi ylli i ri u pa duke mbajtur një flamur palestinez gjatë paradës së Barcelonës për festimin e titullit kampion.

Në një deklaratë të publikuar në spanjisht, Katz e akuzoi lojtarin se po nxit përçarje, në një kohë kur Izraeli është i përfshirë në konflikt.

“Lamine Yamal ka zgjedhur të dalë kundër Izraelit dhe të nxisë urrejtje në një kohë kur ushtarët tanë po luftojnë organizatën terroriste Hamas, e cila më 7 tetor [2023] kreu vrasje masive, dhunime dhe dogji fëmijë, gra dhe të moshuar hebrenj”, shkroi Katz.

“Ata që i mbështesin veprime të tilla duhet ta pyesin veten: a e konsideroni këtë njerëzore? A është kjo morale?”.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se nuk do ta anashkalojë atë që ai e cilëson si nxitje kundër popullit hebre, duke i bërë thirrje klubit katalanas të mbajë një qëndrim zyrtar.

“Si Ministër i Mbrojtjes i Izraelit, nuk do të qëndroj i heshtur përballë nxitjes kundër Izraelit dhe popullit hebre”.

“Shpresoj që një klub aq i madh dhe i respektuar sa Barcelona të distancohet nga këto deklarata dhe të shpallë qartë dhe pa mëdyshje tolerancë zero ndaj nxitjes apo mbështetjes së terrorizmit”, ka thënë Katz./Telegrafi/