FBI publikon fotot, videon e të dyshuarve
Dy meshkujt janë fotografuar duke ecur së bashku, pranë vijës së finish-it të maratonës, përpara shpërthimeve që vranë 3 persona dhe plagosën rreth 180 të tjerë.
Një prej dy personave të dyshuar është parë të lëshojë një çantë shpine në vendin e shpërthimit të bombës së dytë, “vetëm pak minuta” para shpërthimit, tha agjenti special Rick DesLauriers, kreu i zyrës së FBI-së në Boston.
“Dikush në këtë vend i njeh këta individë, ndoshta si shokë, fqinj, bashkëpunëtorë apo anëtarët e familjes së të dyshuarve”, tha DesLauriers. “Edhe pse mund të jetë e vështirë, kombi ynë kërkon mbështetjen e atyre që zotërojnë informacione, për të na i dhënë neve”, transmeton TCH.
Por, ai paralajmëroi se të dyshuarit duhet të konsiderohen si individë të armatosur dhe “ekstremisht të rrezikshëm”. “Askush nuk duhet t’u afrohet atyre. Askush nuk duhet të përpiqet t’i kapë ata, me përjashtim të zbatuesve të ligjit”, tha ai.
Njoftimi vjen në fund të një dite, gjatë së cilës presidenti Barack Obama solli një përzierje ndjenjash sigurie, inkurajimi dhe sfide në shërbimin përkujtimor ndërfetar në Katedralen e Kryqit të Shenjtë të qytetit.
Kushdo që i vendosi bombat, “zgjodhi qytetin e gabuar” për të sulmuar, tha ai.
“Secili nga ne qëndron në krahun tuaj”, tha Obama përpara turmës. “Boston mund të jetë vendlindja juaj, por edhe ne e pretendojmë diçka të tillë. Për miliona prej nesh, ajo që ndodhi të hënën është diçka personale”.
Duke iu adresuar autorëve ende të panjohur, Obama shtoi: “Po, ne do t’iu gjejmë. Po, ju do të përballeni me drejtësinë. Ne do të bëjmë që ju të mbani përgjegjësi”.
Ai hodhi më pas vështrimin drejt garës së vitit të ardhshëm, duke parashikuar se “bota do të rikthehet në këtë qytet të madh amerikan, për të vrapuar edhe më fuqishëm dhe për t’u mbushur akoma me më shumë gëzim për Maratonën e 118-të të Bostonit. Bëhuni pjesë e saj”. /Telegrafi/


