E quajti mesfushor mediokër, Kroos i kundërpërgjigjet ashpër ish-yllit të Chelseat
Një deklaratë e atribuar ish-mesfushorit të Chelseat, John Obi Mikel, ka shkaktuar polemika në rrjetet sociale, pasi legjenda e Real Madridit, Toni Kroos, u cilësua si një “mesfushor mediokër”.
Sipas raportimeve, Mikel është cituar të ketë thënë: “Toni Kroos ka qenë një mesfushor mediokër. Unë kam qenë një lojtar më i mirë se ai. Dallimi i madh ishte se unë nuk luajta për Real Madridin”.
Deklarata, e cila u përhap me shpejtësi në media dhe rrjete sociale, nuk kaloi pa reagim nga vetë Kroos.
Mesfushori gjerman, fitues i shumë titujve me Real Madridin dhe kampion bote me Gjermaninë, zgjodhi Instagramin për t’iu përgjigjur ish-kapitenit të Nigerisë.
Në reagimin e tij të shkurtër, por ironik, Kroos shkroi: “Atëherë pse nuk luajte për Real Madridin?”
Një përgjigje që u interpretua gjerësisht si thumbuese dhe që ndezi edhe më shumë diskutimin mes tifozëve.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse John Obi Mikel i ka bërë realisht këto komente apo nëse deklarata është nxjerrë jashtë kontekstit.
Nuk është hera e parë që ish-mesfushori i Chelseat përfshihet në polemika të tilla.
Vitin e kaluar, Mikel doli publikisht për të mohuar pretendimet se kishte minimizuar vlerën e pesë titujve të Ligës së Kampionëve të fituar nga yjet e Real Madridit, përfshirë edhe Toni Kroos.
Për momentin, Mikel nuk ka dhënë një reagim zyrtar për deklaratën e fundit, ndërsa debati mbetet i hapur nëse bëhet fjalë për një kritikë reale apo thjesht një keqinterpretim mediatik./Telegrafi/


