Please enter at least 3 characters.

Dyshime për shkelje në punë, Trepça merr masë ndaj 5 punëtorëve në Kishnicë dhe Artanë

Trepça Sh.A. ka njoftuar se më 09.06.2026, Kryeshefi Ekzekutiv ka nxjerrë vendim për largim të përkohshëm nga puna të pesë punonjësve të Njësisë Biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.

Sipas vendimit me numër protokolli 5245, punonjësit në fjalë janë larguar përkohësisht nga detyra duke filluar nga data 08.06.2026, dhe do të qëndrojnë të pezulluar deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Komisioni Disiplinor.

Në njoftim bëhet e ditur se masa është ndërmarrë pas dyshimeve të bazuara se punonjësit janë evidentuar si të angazhuar në punë gjatë ditëve të vikendit, ndonëse dyshohet se nuk kanë qenë fizikisht të pranishëm në vendin e punës.

Sipas kompanisë, këto veprime mund të përbëjnë shkelje të rënda të detyrave të punës, në bazë të nenit 10 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve të Trepçës, përkatësisht paragrafëve 1.1, 1.5, 1.13, 1.19 dhe 1.26.

Rasti pritet të trajtohet nga Komisioni Disiplinor i ndërmarrjes, i cili do të vendosë për hapat e mëtejmë pas shqyrtimit të plotë të rrethanave. /Telegrafi/