Dy javë afat për presidentin, Emini: Partitë të barrikaduara - problemi s’është emri, por mungesa e dialogut
Vetëm pak javë para afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit, skena politike në Kosovë mbetet e bllokuar, me pak gjasa për një marrëveshje mes partive dhe me rrezik real për thellim të krizës institucionale.
Lidhur me këto zhvillime, Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit ka folur për Telegrafin.
Ajo vlerëson se aktualisht nuk ka sinjale reale për kompromis politik, duke paralajmëruar rrezikun e thellimit të krizës institucionale.
“Pavarësisht presionit aktual politik, partitë nuk po tregojnë gatishmëri për kompromis. Veprimet e tyre mbeten të orientuara kryesisht drejt bllokimit të proceseve dhe zgjatjes së krizës politike. Kjo situatë bëhet edhe më problematike duke pasur parasysh afatet e ngushta dhe presionin institucional, ndërsa në praktikë mungon ndjenja e urgjencës për zgjidhjen e saj”, ka thënë Emini.
Sipas saj, kjo situatë krijon edhe avantazhe të përkohshme politike për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Për Lëvizjen Vetëvendosje kjo është një situatë relativisht e favorshme, sepse aktualisht kontrollon të tre pozicionet kryesore në shtet, përfshirë edhe presidencën në ushtrim detyre, dhe kjo i krijon hapësirë që në një moment të tillë të shtyjë përpara vendime të rëndësishme që lidhen me funksionimin e shtetit, siç janë emërimet në agjenci të pavarura, në shërbimin e inteligjencës apo në Gjykatën Kushtetuese. Në anën tjetër, opozita është e fokusuar kryesisht në një projekt minimal politik, që është bllokimi i zgjedhjes së presidentit, pa ofruar një alternativë të qartë apo një rrugëdalje nga kriza”, u shpreh Emini për Telegrafin.
Megjithatë, ajo thekson se humbësi kryesor nga e gjithë kjo krizë politike, mbetet shteti.
“Kjo krizë politike po i sjellë përfitime politike të përkohshme Vetëvendosjes, mirëpo humbësi kryesor është shteti. Sepse në një moment kur po merren vendime kyçe për funksionimin e një shteti të pavarur, vendi ndodhet në një krizë politike që po shndërrohet në krizë institucionale”, deklaroi ajo.
Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Emini thotë se ato janë pothuajse të pashmangshme në rast të dështimit për zgjedhjen e presidentit.
“Nëse dështon zgjedhja e presidentit dhe partitë politike nuk arrijnë marrëveshje, atëherë, siç e ka bërë të qartë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e reja bëhen të pashmangshme. Në një skenar të tillë, është e qartë se Lëvizja Vetëvendosje mbetet përfituesi kryesor”, theksoi Emini për Telegrafin.
Ajo shton se avantazhi i partisë në pushtet lidhet edhe me mungesën e alternativës nga opozita.
“Kjo lidhet së pari me faktin që është në pushtet dhe ka kontroll mbi institucionet, por edhe me menaxhimin e buxhetit, i cili mund të strukturohet në një mënyrë që i shërben një cikli të ri zgjedhor. Së dyti, opozita vazhdon të mos ketë një ofertë të qartë politike, përtej një qasjeje bllokuese ndaj Vetëvendosjes, çka e dobëson pozicionin e saj përballë elektoratit”, u shpreh ajo.
Sipas Eminit, problemi për zgjedhjen e presidentit nuk qëndron te emrat, por te mungesa e dialogut politik.
“Problemi nuk qëndron te mungesa e një kandidati. Problemi është se në fakt nuk ka asnjë proces real diskutimi për kandidatë të mundshëm, përtej atyre të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët u hodhën në mënyrë disi të papritur gjatë seancës parlamentare për zgjedhjen e presidentit. Kjo tregon se kriza është shumë më e thellë sesa thjesht një çështje emrash”, vlerëson Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.
Emini vlerëson më tej se përplasjet politike janë thelbësore dhe pengojnë çdo kompromis, duke shtuar se ka një barrikadim edhe nga opozita edhe nga partia në pushtet.
“Në thelb kemi të bëjmë me përplasje të thella politike dhe një mungesë të qartë të vullnetit për bashkëpunim. Ka një barrikadim të qartë nga të dyja palët, ku opozita e ka reduktuar veprimin e saj politik kryesisht në bllokimin e Vetëvendosjes, ndërsa Vetëvendosje është e vetëdijshme për këtë situatë dhe vazhdon me agjendën e saj, pa dhënë sinjale serioze për kompromis”, tha Emini.
Duke komentuar mundësinë e një marrëveshjeje në momentet e fundit, ajo thekson se çdo kompromis do të jetë rezultat i kalkulimeve politike.
“Është ende shumë e paqartë nëse do të ketë një kompromis të minutës së fundit apo një kandidat konsensual, sepse në thelb problemi nuk është kandidati, është ndarja e pushtetit. Nuk mund të ketë një kandidat të pranueshëm pa një marrëveshje më të gjerë politike mes partive për mënyrën se si do të shpërndahet pushteti dhe si do të funksionojnë balancat institucionale”, tha Emini.
Ajo theksoi se në këtë fazë, Lëvizja Vetëvendosje nuk e sheh veten në një pozitë të tillë që do ta detyronte të hyjë në një marrëveshje për ndarje pushteti apo në një koalicion qeverisës, ndërkohë që partitë e tjera po përpiqen që përmes postit të presidentit të krijojnë një formë kontrolli dhe balanci institucional.
“Nga ana tjetër, ekziston edhe motivimi politik i opozitës për t’u rikthyer në pushtet pas një kohe relativisht të gjatë jashtë tij. Megjithatë, një kompromis i mundshëm, nëse ndodh, ka shumë gjasa të mos vijë si rezultat i një kandidati “ideal”, por më shumë si pasojë e kalkulimeve politike”, theksoi Emini, duke shtuar se frika nga zgjedhjet e reja është reale për të gjitha palët, për opozitën sepse mund të dalë edhe më dobët, sidomos nëse figura si Vjosa Osmani hyn më drejtpërdrejt në garë politike dhe fragmenton më tej elektoratin.
“Edhe për Vetëvendosjen sepse nuk është e sigurt nëse mund të riprodhojë të njëjtin rezultat si në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Prandaj, nëse ka një marrëveshje, ajo ka më shumë gjasa të vijë nga fakti që partitë nuk e shohin si të favorshme një raund të ri zgjedhjesh, sesa nga shfaqja e papritur e një kandidati që i bashkon të gjithë”, u shpreh ajo.
Në fund, Emini paralajmëroi për pasoja serioze për stabilitetin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
“Pasojat janë të qarta dhe shumëdimensionale, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Nuk është normale që një vend të funksionojë për një periudhë kaq të gjatë pa stabilitet institucional, duke kaluar nga një proces zgjedhor në tjetrin dhe duke operuar në një lloj ‘autopiloti’. Kjo e dëmton drejtpërdrejt kapacitetin e shtetit për të qeverisur dhe për të shtyrë përpara procese të rëndësishme”, deklaroi Emini për Telegrafin.
Emini vlerëson se në planin e brendshëm, kjo situatë është veçanërisht problematike për një vend si Kosova, që është në mes të reformave të rëndësishme drejt Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht përballet me sfida të brishta në arenën ndërkombëtare.
“Shumë procese të mëdha janë vendosur në pritje, ndërkohë që janë humbur kohë dhe fonde të konsiderueshme, përfshirë edhe mundësi konkrete që vijnë nga instrumente si plani i rritjes i BE-së”, ka shtuar ajo.
Kurse në planin ndërkombëtar, Emini thekson se mungesa e konsolidimit institucional e dobëson ndjeshëm pozicionin e Kosovës.
“Një shtet që nuk ka stabilitet të brendshëm e ka shumë më të vështirë të projektojë qëndrueshmëri dhe besueshmëri jashtë, të avancojë interesat e veta dhe të punojë në mënyrë efektive me aleatët. Kjo është edhe më sfiduese në një kontekst të tensioneve transatlantike, ku kërkohet një diplomaci e kujdesshme dhe një koordinim i fortë me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Emini.
Sipas saj, gjithë kjo situatë e dobëson edhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Fakti që elita politike nuk po adreson këto probleme dhe nuk po tregon vullnet për t’i zgjidhur ato, krijon përshtypjen se interesi shtetëror nuk është prioritet. Përkundrazi, fokusi duket të jetë te maksimizimi i përfitimeve politike afatshkurtra, në kurriz të stabilitetit institucional dhe pozicionit ndërkombëtar të vendit”, tha Emini.
Kujtojmë se pas dështimit të seancës së 5 marsit, në mungesë të kuorumit, një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria. Më pas gjykata doli me aktgjykim, duke caktuar 28 prillin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri në këtë datë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh. /Telegrafi/


