Please enter at least 3 characters.

“Dukagjini” organizon seminar për mirëqenien psikologjike të mësimdhënësve dhe vetëkujdesin

Qindra mësimdhënës nga mbarë Kosova morën pjesë të shtunën në seminarin “Mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”, të organizuar nga shtëpia botuese Dukagjini.

Aktiviteti, që zgjati rreth katër orë, solli prezantime profesionale, diskutime dhe shkëmbim përvojash mes pjesëmarrësve, duke vënë në fokus rëndësinë e mirëqenies së mësimdhënësve në procesin arsimor.

Në hapje të seminarit, drejtoresha ekzekutive e shtëpisë botuese Dukagjini, Edona Lluka-Vokshi, falënderoi mësimdhënësit për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e temës që u trajtua gjatë këtij takimi.

“Ju falënderoj që keni gjetur kohë dhe jeni pjesë e këtij seminari të organizuar enkas për ju dhe mirëqenien tuaj. Uroj që secili prej jush të marrë diçka me vete nga diskutimet e sotme, qoftë një këshillë e vogël apo një ide që mund të ndihmojë në rritjen e mirëqenies dhe vetëkujdesit”, tha Lluka-Vokshi.

Sipas saj, çdo mendim pozitiv apo ide e marrë nga seminari mund të kontribuojë në përmirësimin e përditshmërisë së mësimdhënësve dhe në mënyrën se si ata përballen me sfidat e profesionit.

Në kuadër të seminarit, në cilësinë e trajneres, psikologia klinike Emirjeta Kumnova trajtoi çështjen e mirëqenies së mësimdhënësve, duke folur për faktorët që ndikojnë në të, si dhe për lidhjen që kjo ka me performancën në punë, atmosferën në klasë dhe rezultatet e nxënësve.

“Pjesa e mirëqenies së mësimdhënësve, jo vetëm tek ne në Kosovë, por edhe në vendet më të zhvilluara është pjesa më e neglizhuar. Pjesa ku nuk është dhënë vëmendje, nuk i është dhënë rëndësi”, ka thënë Emirjeta Kumnova, Trajnere dhe Psikologe Klinike.

“Edhe mirëqenia e fëmijëve varet pikërisht nga mirëqenia e mësimdhënësve”, u theksua gjatë seminarit, duke nënvizuar nevojën që mësimdhënësit të kenë mbështetje profesionale dhe hapësira për zhvillim personal.

Në përfundim, mësimdhënësit shprehën dëshirën që seminare të tilla të organizohen edhe në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e tyre për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e rolit të mësimdhënësit në sistemin arsimor.

Krahas dhuratave për 7 Marsin, në fund shtëpia botuese “Dukagjini” ndau certifikata për mësimdhënësit pjesëmarrës në seminar.

Seminari “Mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi” u organizua nga shtëpia botuese Dukagjini si pjesë e aktiviteteve që lidhen me mbështetjen e komunitetit arsimor dhe zhvillimin profesional.

true