Dortmundi ulë kërkesat për Adeyemin, skuadrat angleze dhe italiane pas sulmuesit anësorë
E ardhmja e Karim Adeyemi te Borussia Dortmund duket gjithnjë e më e pasigurt, pavarësisht se një ofertë për zgjatjen e kontratës ka qenë në tryezë prej kohësh.
Sulmuesi gjerman nuk ishte pjesë e Gjermanisë për ndeshjet e fundit ndërkombëtare, ndërsa edhe te Dortmundi ka humbur rëndësinë e tij në pjesën e dytë të sezonit, duke u aktivizuar shpesh nga stoli.
Këto zhvillime e bëjnë gjithnjë e më të pamundur rinovimin e kontratës së tij, e cila aktualisht skadon në vitin 2027. Sipas raportimeve nga Sport Bild, vetë lojtari është i interesuar për një transferim në Ligën Premier.
Klubet angleze pritet të jenë në gjendje të përballojnë një transferim të tillë, ndërsa edhe çmimi i kartonit të Adeyemit duket se ka pësuar rënie. Nga 60 milionë euro që përflitej më parë, tani Borussia Dortmund kërkon rreth 50 milionë euro për kartonin e tij.
Interes për sulmuesin kanë shprehur disa klube të mëdha europiane, përfshirë Juventusin, Romen, si dhe gjigantët anglezë Chelsea, Manchester United dhe Arsenal.
Mbetet për t’u parë nëse ndonjë nga këto skuadra do të jetë e gatshme të paguajë shumën e kërkuar për të siguruar shërbimet e tij gjatë afatit kalimtar veror. /Telegrafi/


