Djali i Agim Ramadanit: Ndërtone shtetin, ashtu siç e ëndërruan ata që dhanë gjithçka
Në një atmosferë emocioni dhe respekti u mbajt Akademia përkujtimore me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe ditës së rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, organizuar nën patronatin e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Megjithatë, për shkak të një rasti vdekjeje në familje, presidentja në detyrë nuk mori pjesë në këtë ceremoni dhe në emër të saj foli nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola.
Në fjalën e tij, Gola e cilësoi Betejën e Koshares si një moment kyç që ndryshoi jo vetëm realitetin fizik, por edhe atë shpirtëror të shqiptarëve. Ai theksoi se thyerja e kufirit në Koshare simbolizoi një çlirim të dyfishtë territorial dhe të brendshëm, duke çliruar edhe vetëdijen kolektive nga kufizimet e frikës dhe pamundësisë.
“Ëndrra jonë për liri nuk mori formë në libra, por në jetët e njerëzve siç ishte jeta e komandanit. Agim Ramadani. Ishte shpirt i madh krijues. Ai pikturonte, shkruante, mendonte ndryshe. Ishte i shkolluar në Akademinë ushtarake të Zagrebit, i rritur në Kosovë dhe më vonë i përndjekur, u detyrua të emigronte në Zvicër. Atje, bashkë me dashurinë e jetës së tij, rivalen e bankave shkollore dhe bashkëaktivisten në ilegalitet, zonjën e nderuar Shukrije Ramadani dhe me fëmijët, jetonin, e donin dhe lirinë, ndërtonin jetën e tij. Kjo e pasqyronte faktin se Agim Ramadani nuk hyri në luftë, sepse nuk kishte rrugë tjetër. I kishte të gjitha arsyet për të qëndruar në Zvicër, ama nuk qëndroi. E braktisi komoditetin e të qenit evropian dhe iu bashkua shokëve e shoqeve, sepse nuk mund ta ndante jetën e tij nga ajo që po i ndodhte vendit ku ishte lindur dhe rritur. Ai e kuptoi herët që pritja nuk mjafton, prandaj nuk e la këtë pyetje të mbetej në varg. Nuk e mbajti si dilemë poetike, por e ktheu në vendim dhe u kthye në vendlindje drejt një rreziku konkret, drejt një lufte të pabarabartë, ku, siç tregojnë bashkëluftëtarët e tij, nuk mjaftonte të ishte trim, duhej të ishte edhe strateg, edhe vizionar. Dhe këtë ai e bëri pa bujë, pa deklarime të mëdha, por me një kthjellësi që e dallon një njeri që e ka ndarë tashmë mendjen për të ndarë fatin e tij me vendin” tha ai.
Ndërsa, ministri i Sportit, Blerim Gashani, vuri në pah rolin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si bartëse e aspiratës për liri dhe shtetësi. Ai theksoi se sakrifica e dëshmorëve përbën bazën morale të shtetit të sotëm dhe duhet të mbetet udhërrëfyes për brezat e rinj.
“Agim Ramadani ra për lirinë e Kosovës, por emri i tij jehon e jeton përtej rënies së tij heroike. Ai jeton në kujtesën tonë kombëtare, në historinë e shtetit tonë dhe në vetë kuptimin e lirisë që sot e gëzojmë. Në betejën e Koshares, Agim Ramadani nuk ishte thjesht një luftëtar në vijën e frontit, por një figurë me peshë të veçantë strategjike dhe ushtarake në një prej operacioneve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pikërisht për këtë, ai mbetet jo vetëm hero i luftës sonë çlirimtare, por edhe figurë që mishëron në mënyrë të veçantë idealin e atdhedashurisë së ndërgjegjshme”, tha Gashani
Ish-komandanti i UÇK-së gjatë Betejës së Koshares, Anton Quni, e përshkroi Agim Ramadanin si figurë që përfaqësonte një kombinim të rrallë të disiplinës ushtarake dhe ndjeshmërisë artistike, duke e konsideruar atë si një nga mendjet strategjike më të rëndësishme të operacionit në Koshare.
“Agim Ramadani nuk është thjesht një emër në listat e dëshmorëve dhe heronjve. Ai është arkitekti i thyerjes së madhe. Agimi është një paradoks i bukur. Si ushtarak karriere, ai zotëronte disiplinën dhe ftohtësinë e duhur për betejë, por brenda asaj uniforme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrihte zemra fisnike e një poeti dhe piktori. Ai e dinte se liria nuk mbrohet vetëm me plumba, por edhe me kulturë dhe identitet. Brusha e tij pikturonte peizazhet e Kosovës, ndërsa vargu i tij profetik na kujtonte se edhe vdekja është e bukur kur i detyrohesh lirisë. Për Agimin liria nuk ishte opsion, por ishte amanet. Agimi nuk projektonte vetëm sulmet në letër. Ai hartonte çdo detaj të operacioneve në terrene më të thyera duke ndarë çdo rrezik e çdo vështirësi. Ai dëshmoi se një komandant i madh është ai që prin në rresht të parë, që vlerëson ushtarin si pasurinë më të shtrenjtë të kombit dhe që nuk kërkon sakrificën nga të tjerët pa dhënë shembullin personal i pari”, u shpreh Quni.
Djali i heroit Agim Ramadani, Jeton Ramadani, solli një mesazh të fortë për unitet dhe përgjegjësi kolektive. Ai theksoi se sakrifica e dëshmorëve nuk përfundon me luftën, por vazhdon në mënyrën se si ndërtohet dhe mbrohet shteti.
“Sot pas 27 vitesh ai është krenar me ju. Ju që qëndruat, që nuk u përkulët, që nuk e latë rrugën në mes. Sepse lufta nuk mbaron me armë, ajo vazhdon në mënyrën sesi jetojmë dhe si e mbrojmë njëri-tjetrin dhe si e mbrojmë shtetin tonë. Për mua, ju jeni vazhdimi i tij. Sot Kosova ka nevojë për ju, për unitetin, vendosmërinë, për dashurinë ndaj atdheut. Në emër të familjeve të dëshmorëve ju lutem që të rrini bashkë, mos lejoni që sakrifica të zbehet. Ndërtoni shtetin ashtu siç e ëndërruan ata që dhanë gjithçka. Ata jetojnë në ne”, tha ai.
Në këtë akademi morën pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës Ramush Haradinaj, kryetarë të komunave dhe shumë përfaqësues të tjerë dhe familjarë të dëshmorëve.
Agim Ramadani nuk ishte vetëm një luftëtar i lirisë, por edhe shpirt krijues, i cili përmes vargjeve shprehu dashurinë për atdheun dhe idealin për liri. Vargjet e tij mbetën dëshmi e ndjenjës së thellë atdhetare dhe përkushtimit të tij për liri deri në sakrificën më të lartë. /kp/


