Deco zgjedh rivalët e Barcelonës për titullin e Ligës së Kampionëve: Ekipet janë më të forta, duhet të jemi shumë të fuqishëm
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur hapur për ambiciet e klubit katalanas në sezonin 2025-26, duke pranuar se rruga drejt suksesit në Ligën e Kampionëve është më e vështirë se kurrë.
Barcelona e nisi me hap pozitiv aventurën në kompeticionin më të rëndësishëm me një triumf 1:2 në udhëtim te Newcastle Utd.
Ndërkohë, Deco në një intervistë për gazetën braziliane Lance deklaroi se Liverpooli, Reali e PSG-ja janë rivalët kryesorë.
“Shumë skuadra janë përforcuar shumë mirë, si Liverpool që ka bërë disa afrime të rëndësishme, edhe Real Madridi po ashtu. Ekipet janë më të forta. Ne duhet të jemi shumë solidë nëse duam të synojmë finalen. PSG është një skuadër e jashtëzakonshme, kanë ndërtuar një grup të madh vitet e fundit, kanë bërë blerjet e duhura dhe kanë një trajner që më pëlqen shumë, kompetitiv dhe serioz. Ata janë ndër kandidatët kryesorë për të fituar Ligën e Kampionëve përsëri”.
Megjithatë, Deco theksoi se Barcelona duhet të ecë me hapa të vegjël.
“Është një ndeshje e mirë dhe tërheqëse, por për ne është më shumë një sfidë kualifikimi. Duhet të marrim ndeshjet me radhë. Nuk ka kuptim të ëndërrojmë për Ligën e Kampionëve nëse nuk kalojmë grupet. Objektivi ynë është kualifikimi”.
Portugezi komentoi edhe mbi ndryshimet në formatin e ri të Ligës së Kampionëve, duke e konsideruar më të drejtë sesa edicioni i kaluar.
“Sezonin e shkuar ishte e padrejtë me ndeshjet jashtë fushe. Për një periudhë u humb avantazhi i të qenit në ‘top 8’. Ne luajtëm thuajse të gjitha ndeshjet e kthimit jashtë, si çerekfinalen dhe gjysmëfinalen. Mendoj se ekipet më të mira duhet ta kenë këtë avantazh. Këtë vit e kanë rregulluar, gjithmonë ka vend për përmirësim, por modeli i ri më pëlqen”./Telegrafi/


