Please enter at least 3 characters.

Costa për aplikimin e Kosovës në BE: Në fund të procesit nuk besoj se do të kemi probleme nga Bashkimi Evropian

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka deklaruar se procesi i integrimit evropian të Kosovës duhet të vazhdojë përmes zbatimit të reformave dhe përmbushjes së kritereve të dakorduara me Bashkimin Evropian, duke shprehur besimin se në fund të këtij rrugëtimi nuk do të ketë pengesa për anëtarësimin e vendit.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares së Telegrafit, Jehona Hulaj lidhur me faktin se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit 2022, por ende nuk ka pasur një hap të qartë institucional për shqyrtimin e tij, Costa tha se çdo proces ka kohën e vet dhe se fokusi aktual duhet të mbetet te zbatimi i reformave.

“Secili proces e ka kohën e vet. Jemi pajtuar për agjendën e reformave dhe jemi pajtuar se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm. Është thelbësore që Kosova, hap pas hapi, të japë rezultatet për të cilat jemi pajtuar”, tha Costa.

Ai theksoi se ka besim në rrugën evropiane të Kosovës dhe në përkrahjen e shteteve anëtare të BE-së për këtë proces.

“Besimi im është se në fund të procesit nuk do të kemi kurrfarë problemi nga Bashkimi Evropian. Ekziston një konsensus i gjerë ndërkombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE dhe kjo mund të përkthehet në veprime konkrete, ashtu siç kemi arritur të ruajmë një rrugë të qartë drejt këtij zgjerimi me Kosovën”, u shpreh ai.


Costa, po ashtu ka theksuar përkushtimin e Bashkimit Evropian për mbështetjen e Kosovës dhe rajonit, duke nënvizuar se zgjerimi i BE-së mbetet një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin në Evropë.

“ Deri më sot, ne kemi investuar 3.7 miliardë euro në edukim, infrastrukturë, energji, mjedis, biznese, të drejtat e njeriut dhe në sundimin e ligjit. Dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë, sepse besojmë që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian”, deklaroi Costa, duke e përgëzuar Kosovën për progresin e arritur në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.

Ai tha se institucionet evropiane besojnë fuqishëm se perspektiva e Kosovës është brenda familjes evropiane.

“Besojmë që e ardhmja e Kosovës është në BE. Në kohë të pasigurive globale, qëndrueshmëria ekonomike nuk është vetëm një mundësi, por një nevojë dhe domosdoshmëri për Evropën”, u shpreh ai.

Gjatë konferencës për media në Prishtinë, Costa ka pasur edhe një mesazh të qartë për liderët politikë të Kosovës para zgjedhjeve të 7 qershorit e ka thënë se këtë mesazh ua ka thënë edhe liderëve në takim me ta.

“Mesazhi im për liderët politikë ishte i thjeshtë, partneriteti vjen me përgjegjësi. BE-ja e mbështet Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e shtëpisë së Kosovës. Kosovës i duhen institucione të forta, të qëndrueshme e funksionale”, ka thënë Costa.

Ai ka thënë se i ka inkurajuar akterët politikë që të kenë prioritet në politikën e tyre integrimin evropian.

Costa gjithashtu nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe të përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, duke kërkuar zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas Costas, përparimi në reforma, forcimi i institucioneve dhe respektimi i marrëveshjeve të arritura janë elemente kyçe për avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian. /Telegrafi/