Clinton lobon për njohjen e pavarësisë së Kosovës
Sipas të përditshmes “Glas” – që thirret në burime pranë qeverisë serbe, Serbia tashmë e ka kuptuar synimin amerikan dhe planifikon që në këtë pjesë të botës t’i dërgojë diplomatët e saj, për të parandaluar njohjet e mëtejme të Kosovës.
Pasi që, një iniciativë e tillë amerikane – sipas këtyre burimeve – ka “dështuar” këto ditë në takimin e Organizatës së Konferencës Islamike – mbi shtetet e Amerikës Latine do të bëjë “trysni” vetë sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton.
Presion i veçantë, theksojnë këto burime, SHBA-të do të bëjnë mbi Brazilin, Kilin, Guatemalën dhe shtetet e vogla të Karaibeve – pasi që këtë zonë e konsiderojnë si “oborr të tyre”.
Sipas këtij “plani” të lansuar nga mediat serbe – në qershor pritet të mbahet një samit në Honduras, ku do të marrë pjesë sekretarja amerikane e Shtetit, Clinton – e cila do të kërkojë njohjen e Kosovës nga shtetet e Amerikës Latine.
Megjithatë, sipas ish-ministrit të Jashtëm serb, Zhivadin Jovanoviq – Serbia, me një iniciativë aktive diplomatike, mund t’i kundërvihet planeve amerikane, ngase siç është shprehur ai, “sindromi i Kosovës” është duke i kërcënuar shtetet si Bolivia, Brazili, Kolumbia, Ekuadori... dhe “mund të përballohet presioni amerikan”. /Telegrafi/


