Please enter at least 3 characters.

Çfarë po ndodh me Kylian Mbappen?

Kylian Mbappe (27) po kalon një periudhë të vështirë te Real Madridi dhe, sipas “Marca”, frustrimi i tij po rritet për shkak të lëndimeve që i janë shfaqur më shpesh sesa në vitet te PSG.

Në më pak se dy sezone në Madrid, sulmuesi francez ka regjistruar 13 mungesa për shkak të problemeve fizike, ndërsa në shtatë sezone në Paris ai kishte vetëm një mungesë më shumë. Lëndimi i fundit muskulor vetëm sa e ka thelluar pakënaqësinë e tij.

Ardhja e Mbappes në Madrid u shoqërua me një kartelë mjekësore pothuajse perfekte. Te PSG ai pati 14 lëndime të lehta, ndërsa në tre sezonet e fundit para transferimit mungoi vetëm 42 ditë në total. Kontrasti me Realin Madridin është i madh, sezonin e kaluar pati katër probleme fizike, ndërsa këtë sezon raportohet se ka pasur nëntë.

Problemet nisën në periudhën tetor–nëntor, me tri dëmtime të lehta në kyçin e këmbës së djathtë, që u shfaqën kryesisht gjatë angazhimeve me Francën, duke e lënë jashtë disa ndeshjeve. Më pas, situata u përkeqësua ndjeshëm me një dëmtim në gju, i pësuar pas një ndërhyrjeje në ndeshjen ndaj Celtës më 7 dhjetor, çka e pengoi edhe për ndeshjen e ligës kundër Manchester Cityt.

“Telenovela” e gjurit dhe rikthimet e shpejta

Pas kthimit nga pushimet e Krishtlindjeve, Mbappe u ankua sërish për dhimbje dhe një rezonancë magnetike zbuloi dëmtim të ligamentit kolateral anësor, që parashikohej ta mbante jashtë të paktën tre javë. Megjithatë, ai u rikthye në dispozicion pas vetëm 11 ditësh. Ai humbi ndeshjen me Betisin (4 janar) dhe gjysmëfinalen e Superkupës (8 janar), por udhëtoi në Arabinë Saudite dhe luajti 14 minuta në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës.

Real Madridi e humbi atë finale dhe Mbappe u detyrua të kursehej sërish, me të njëjtin problem në gju. Edhe pse ishte pjesë e skuadrës në disa ndeshje (si ndaj Real Sociedadit), në disa raste nuk u aktivizua, duke rritur shqetësimin brenda klubit.

Udhëtimi në Paris dhe lëndimi i ri

Sipas “Marca”, më vonë erdhi edhe një pauzë tjetër e gjatë, që nisi para ndeshjes së kthimit në të tetat e finales së Ligës së Kampionëve kundër Benficës.

Rasti u shoqërua me polemika për një diagnozë të supozuar të gabuar dhe për udhëtimin e Mbappes në Paris për rikuperim. Në total, ai raportohet se humbi 10 ndeshje për shkak të kësaj gjendjeje në gju.

Tani, një dëmtim i ri muskulor e ka lënë sërish jashtë fushave, ndërsa francezi – sipas raportimit – nuk e fsheh konfuzionin dhe frustrimin me situatën e përsëritur të lëndimeve që po e shoqëron në Madrid. /Telegrafi/