Please enter at least 3 characters.

Çfarë i ndodh trupit tuaj kur ndaloni së ngrëni tre orë para gjumit

Nëse mendoni se asnjë darkë nuk është e plotë pa ëmbëlsirë, ose e gjeni veten duke hapur frigoriferin pak para se të shkoni në shtrat, nuk jeni të vetëm. Por, për fat të keq, ky zakon mund të mos jetë i mirë për gjumin tuaj.

“Ushqimi dhe aktiviteti fizik e stimulojnë trupin dhe ndikojnë në cilësinë e gjumit dhe aftësinë për të fjetur”, shpjegon Sandra Zhang, dietologe në Tufts Medical Center. “Stomakut i duhen rreth tre orë për të tretur ushqimin”.

Kjo do të thotë se, nëse flini rreth orës 22:00, idealisht duhet të ndaloni së ngrëni rreth orës 19:00. Edhe pse heqja dorë nga akullorja apo buka e mbrëmjes mund të duket e vështirë, gjumi është një nga proceset më të rëndësishme për trupin dhe mund të prishet nëse hani shumë afër kohës së fjetjes.

Kur hani vonë, trupi duhet të ndajë energjinë mes tretjes dhe përgatitjes për gjumë. Gjaku shkon më shumë drejt stomakut, temperatura e trupit mund të rritet dhe aktivizohen hormonet e tretjes — të gjitha këto i dërgojnë trurit sinjale “zgjohu”. Kjo e bën më të vështirë të flini dhe të qëndroni në gjumë.

Ushqimi i vonë mund të shkaktojë gjithashtu urth, fryrje dhe parehati kur shtriheni, duke ju zgjuar disa herë gjatë natës. Me kalimin e kohës, ky zakon mund të çojë në gjumë më të dobët, më pak gjumë të thellë dhe lodhje ditën tjetër. Një snack i rrallë nuk është problem, por ta bëni zakon çdo natë mund të prishë ritmin natyror të trupit.

Pse duhet të ndaloni së ngrëni 3 orë para gjumit?

Në orët para gjumit, trupi fillon të qetësohet dhe kalon në një gjendje relaksi. Nëse vazhdoni të hani gjatë kësaj kohe, rrezikoni urth, refluks dhe çrregullime të gjumit.

Këto tre orë i japin trupit kohë të mjaftueshme për të tretur ushqimin, në mënyrë që gjatë natës të fokusohet te pushimi dhe rikuperimi, jo te tretja.

Nëse patjetër duhet të hani më pak se tre orë para gjumit, zgjidhni ushqime të lehta dhe me pak yndyrë.

Çfarë ndodh me trupin kur ndaloni së ngrëni 3 orë para gjumit?

Stabilizohet sheqeri në gjak

Pas ngrënies, trupi lëshon insulinë për të ulur sheqerin në gjak. Brenda tre orëve, nivelet stabilizohen dhe trupi prodhon më pak insulinë.

Rritet melatonina natyrale

Kur nuk hani para gjumit, trupi prodhon më shumë melatoninë — hormoni që ju ndihmon të flini. Nëse hani vonë, prodhimi i saj vonohet dhe ju zë gjumi më vështirë.

Gjumi përmirësohet

Trupi ndjek ritmin e tij natyror: flini më shpejt, zgjoheni më pak gjatë natës dhe përfitoni më shumë gjumë të thellë. Gjithashtu, prodhohet më pak kortizol (hormoni i stresit).

Digjet më shumë yndyrë e ruajtur

Meqë tretja ka përfunduar, trupi fillon të përdorë yndyrën e depozituar për energji.

Muskujt rikuperohen më mirë

Gjatë gjumit, muskujt riparohen më eficientisht kur trupi nuk është i zënë me tretje. Është e rëndësishme të keni mjaftueshëm proteina gjatë ditës, sepse nëse shkoni në shtrat shumë të uritur, trupi mund t’i përdorë proteinat për energji dhe jo për riparim muskulor.