Çështja e presidentit, Lushtaku: Përgjegjësia kryesore i mbetet Vetëvendosjes
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka thënë sot se PDK ka pasur vullnet të bëjë zgjidhje lidhur me pozitën e presidentit.
Lushtaku tha se PDK është deklaruar pro një kandidati konsensual.
“Realisht, ne e kemi parë dhe jemi të gjithë dëshmitarë që Partia Demokratike e Kosovës me në krye Bedri Hamzën, kemi qenë të vullnetshëm që të bëjmë një zgjidhje të situatës aktuale politike që rrjedh edhe me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Dhe kemi qenë pro një kandidati konsensual, por që nuk është arritur ajo figurë që të realizohet edhe të propozohet”, tha ai.
Sipas tij, lidhur me situatën e krijuar për pozitën e presidentit, përgjegjësia i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
“Dhe kemi dhënë edhe propozimet tona si Parti Demokratike e Kosovës, dhe fatkeqësisht shohim një lloj arrogance tek pushteti apo tek shumica parlamentare, që është edhe fituese e zgjedhjeve me 51%. Prandaj, përgjegjësia kryesore i mbetet Vetëvendosjes duke dhënë ne kontributin tonë në zgjidhjen e kësaj situate”, tha Lushtaku.
Sipas tij, Kurti më shumë ka qenë i angazhuar t’ia lë fajin opozitës se sa t’i zgjidhë problemet reale.


