Carrick dëshiron ta rikthejë Rashfordin te Man United
Trajneri i përkohshëm i Manchester United, Michael Carrick, raportohet se është i interesuar ta rikthejë Marcus Rashford në Old Trafford, nëse do ta marrë përfundimisht drejtimin e skuadrës.
Reprezentuesi i Anglisë është aktualisht i huazuar te kampionët e La Ligës këtë sezon, me skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick që ka një opsion për ta bërë transferimin të përhershëm gjatë verës.
Rashford nuk ishte në planet e ish-trajnerit të United, Ruben Amorim, por situata duket ndryshe nën drejtimin e Carrick. Sulmuesi u largua nga United drejt Barcelonës në formë huazimi për këtë sezon dhe deri tani ka lënë përshtypje shumë pozitive te blaugranasit.
Deri më sot, ai ka shënuar nëntë gola, pesë prej tyre në Ligën e Kampionëve dhe ka regjistruar nëntë asistime në 31 paraqitje. 28-vjeçari ishte shpallur i tepërt nga Amorim në ‘Old Trafford’, ndërsa tani duket se është i interesuar ta bëjë të përhershëm qëndrimin e tij në ‘Camp Nou’. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Barcelona mund ta përballojë klauzolën e blerjes prej 26 milionë eurosh.
Sipas The Telegraph, edhe pse Carrick do të dëshironte rikthimin e ish-shokut të tij të skuadrës te United sezonin e ardhshëm, në rast se ai vazhdon në krye të ekipit, është “e vështirë të shihet që kjo të ndodhë”.
Në të kaluarën, Amorim kishte deklaruar se do të preferonte të përfshinte në stol trajnerin 63-vjeçar të portierëve sesa një lojtar që nuk jep maksimumin, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me Rashfordin.
Ndërkohë, Manchester United kishte interes edhe të ulte faturën e pagave të larta të lojtarit, kontrata e të cilit skadon në vitin 2028.
Për më tepër, raporti thekson se Rashford është ‘i lumtur’ në Barcelonë, Flick e dëshiron atë përfundimisht në skuadër, dhe njerëz pranë sulmuesit anglez thonë se ai ‘ka rifituar buzëqeshjen’./Telegrafi/


