Busulla shkurtpamëse e diplomacisë kosovare
Arti i të bërit politikë, arti i të bërit negociata dhe arti i të bërit diplomaci kërkojnë ngaherë mjeshtëri dhe kohezion konkret në aktivitetin e tyre. Mësime të tilla shkencat politike i njohin qysh prej Greqisë së lashtë, Maqedonisë së Aleksandërit të madh apo Perandorisë së Romës, dhe megjithëse kohërat kan ndryshuar shumë dhe shekujt e mijëvjeçarët janë rrokullisur, principet themelore të mësimeve të lartpërmendura kan mbetur të pa ndryshuara, madje edhe të pa cenuara, prandaj zbatohen edhe sot.
Ndërkohë që e gjithë bota i zbaton pikë për pikë këto mësime, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, veprohet krejtësisht ndryshe, madje nga aktiviteti i tyre diplomatik mund të shkohet edhe aty sa të thuhet se kjo zyrë e lidhjeve të shtetit tonë me botën po shpik diçka krejt të re, diçka krejt abstrakte dhe humbakohëse.
Kështu, ministri ynë i Punëve të Jashtme për të lobuar për mëvetësinë e Kosovës shkon në Nju Jork apo Gjenevë dhe takon ambasador vendesh të ndryshme të rruzullit tokësor dhe iu kërkon njohjen e shtetit tonë! Kjo është sikur të provosh ta lundrosh lumin kundër rrjedhës së tij. Kështu nuk bëhen punët. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë. Ambasadorët e akredituar jashtë vendit të origjinës, thjesht përfaqësojnë, dhe mbrojnë interesat e vendit të vet në vendin apo organizatën ku jan akredituar, ata/ato nuk bëjnë politikë, sepse botërisht njihet fakti se politika bëhet nga qeveritë, parlamentet apo sovranët e vendeve përkatëse.
Prandaj ti kërkosh ambasadorit që ta njoh një vend që e ka shpallur mëvetësinë para një viti e gjysmë, është jo vetëm tallje, por edhe fyerje për vet institucionet dhe popullin e Kosovës.
Për ta bërë lobimin sa më të efektshëm, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, duhet të përqendrohet në pjesëmarrje në çfarëdo niveli, qoftë si ministër i një vendi, qoftë si përfaqësues i një shoqerie (sepse nevoja të dikton edhe veprimtarinë) në konferencat ndërkombëtare të organizatave të ndryshme botërore. Aty mund të takosh ministra dhe përfaqësues shtetesh që kanë simpati për kauzën tënde, apo edhe të atillë që nuk duan të dëgjojnë për çështjet tuaja. Kështu që vendi më i mirë për angazhim diplomatik krejt po shmanget.
Përpos kësaj, Kosova fare nuk po kapitalizon në njohjet që tashmë kanë filluar të rrallohen. Kështu për shembull një vizitë nga presidenti, kryeministri, dy zëvendësit e tij, apo përfaqësues të Qeverise ose edhe të Kuvendit Popullor të Republikës së Kosovës në Malajzi kur kjo e fundit njohu Kosovën, apo Arabi kur Mbretëria Saudite na pranoj si shtet, edhe në qoftë se nuk do të ishin takuar me zyrtaret më të lartë të këtyre shteteve, përpos që do të kishte treguar faleminderit, do të kish shënjëzuar edhe vendet përreth që ta ndjekin rrugën e fqinjit të tyre pra që ta njohin Kosovën.
Në këtë mes është shqetësues fakti se të gjitha institucionet tona, në kohen kur nevoja për ndërkombëtarizim po del lakuriq përpara, janë mbyllur në zyrat e tyre dhe gati sa fare nuk po bëjnë aktivitete promovuese. Shtetet Afrikane ato nga Paqësori apo Aziatike nuk janë shumë të lidhura me Evropën dhe aq më pak me Kosovën. Kështu që aktualizimi i çështjes së pavarësisë së Kosovës me vizita jashtë shtetit është nevojë e ngutshme.
Gjatë kohës kur Sllovenia e Kroacia kërkonin njohje ndërkombëtare, përfaqësues të këtyre shteteve shkonin në Vjenë. Bon, Romë apo Budapest sapo dëgjonin se një delegacion nga ndonjë shtet që nuk i kish njohur ata, po vizitonte ato kryeqytete. Në takimet e tyre parashtronin kërkesën politike duke e nxitur edhe me argumentet ekonomike, kulturore, tregtare, turistike etj.
Kështu pra nga përvoja historike diplomacia kosovare ka mjaft çka të mësojë, ndërsa shpikjet e tipit alla kuturu nuk duhen përsëritur sepse nuk i kanë hije as vendit e as Ministrisë.
(Autori doc.sci. Gani Asllani është pedagog dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe filozofisë politike)


