Please enter at least 3 characters.

Britania duhet të shpallë pavarësinë nga Amerika ose do të vdesë

Donald Trump mund të duket i çmendur, por ai po ndjek traditën politike amerikane
(Foto: Brendan Smialowski/AFP via Getty Images)

Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Nga të gjitha shpjegimet për përpjekjen e Donald Trumpin për të marrë Grenlandën, ai që në aspektin sipërfaqësor është më interesant është pohimi se presidenti ka demencë. Në atë rast, pse të mos bëjmë sikur ia japim? Ta çojmë diku në një vend që duket i gjelbër, të organizojmë një paradë ushtarake dhe t’i themi se kjo është ajo. Fantazia e senilitetit u përmbush.

Fatkeqësisht, kalbëzimi është shumë më i thellë. Trumpi nuk është i çmendur, por bën atë që Amerika gjithmonë bën - vetëm se këtë herë në mënyrë të vrazhdë dhe haptazi. Kjo u bë më e qartë këtë javë kur hasa rastësisht një kopje të Vajtimit për një komb [Lament for a Nation] nga filozofi kanadez George Grant, botuar në vitin 1965.

Grant ka shkruar në një pikë kthese në historinë e vendit të tij. Më 1957, Kanadaja zgjodhi një kryeministër konservator të quajtur John Diefenbaker, i cili nuk ishte ndryshe nga Nigel Farage apo, në fakt, Trumpi: populist, nacionalist, thellësisht kundër së majtës. Por, kur amerikanët kërkuan të vendosnin armë bërthamore në tokën e tij, Diefenbaker - për habinë time - tha jo.

Ai besonte se kishte të drejtë ta bënte këtë, sepse NATO është, në teori, një aleancë e të barabartëve - dhe, ishte e nevojshme ta bënte këtë sepse, nëse Kanadaja do të bëhej bazë për raketa, çdo pretendim për një politikë të jashtme të pavarur do të merrte fund.

Elita e biznesit dhe e kulturës u kthye kundër Diefenbakerit dhe publiku e hoqi nga detyra.

Amerika, duke u ngrohur nga shkëlqimi i Jack Kennedyt, atëherë admirohej si mishërim i modernitetit: nacionalizmi dukej i vjetruar dhe ekscentrik. Në këtë mënyrë, argumentonte Granti, dorëzimi bërthamor i Kanadasë përfaqësonte fazën përfundimtare të një procesi të asimilimit ekonomik dhe kulturor. Një shoqërie kaq të integruar në mënyrën amerikane, jo vetëm që i mungonin burimet, por, kryesorja, imagjinata për të qëndruar në këmbët e veta.

Njëjtë është me Evropën e sotme, ku korporatat amerikane dominojnë dhe përfitojnë, por gjithashtu shmangin shumë taksa. Irlanda, për shembull, me të drejtë ka dënuar luftën tarifore të Trumpit ndaj kombeve që kundërshtojnë marrjen agresive të Grenlandës, por vendi është model i nënshtrimit globalist me kosto të sovranitetit. Përqafoi tregjet e lira (taksat e ulëta për korporatat) dhe lëvizjen e lirë (migrimin masiv), me rezultatin që Dublini duket irlandez nga jashtë - ende i bukur - por, i papërballueshëm dhe i përfshirë në një krizë të dhunshme identiteti.

Këto janë politikat ekonomike të cilat elitat e tij i justifikojnë si thelbësore për ndërtimin modern të kombit (“na duhen para, na duhen punëtorë”), dhe është e habitshme që [partia] SNP ka propozuar të bëjë gjëra të ngjashme nëse Skocia fiton pavarësinë. Siç vërejti Granti në vitin 1965, shteti modern kombëtar mund të zhvillohet vetëm duke hapur krahët ndaj kapitalizmit global, por kapitalizmi global “nënkupton zhdukjen e atyre dallimeve autoktone që i japin substancë nacionalizmit”.

Me pak fjalë, kapitali amerikan na ka bërë të gjithëve të pasur, por gjithashtu na ka bërë kopje të ShBA-së. Jam i bindur se shumë britanikë janë thellësisht të palumtur, madje të sëmurë mendërisht, sepse nuk ndihen më si vetvetja.

Kjo është e dukshme në mënyrën se si flasim (keq) dhe shprehim emocione (shumë shpesh), por më së shumti në politikën tonë e cila është e importuar dhe e shkëputur nga historia jonë e vërtetë. Politika e identitetit është prodhuar në Amerikë: kur agjentët federalë qëlluan dhe vranë një protestues në Minesotë (vrasje, sipas meje), kryebashkiakët laburistë ndien detyrimin të shkruanin një letër mbështetjeje për kryebashkiakun demokrat të Mineapolisit. Pse?

Në anën tjetër, James Cleverly thotë se heroi i tij është Ronald Reagan, konservatorët e shesin jetën e mirë në terma të aspiratës reganiane, dhe memoja famëkeqe e Jenrickut, e shkruar për të planifikuar kalimin e tij te Reform-a, e përshkruan atë si “sherifin e ri në qytet”. Autori e kishte shkruar “favorit” pa “o”.

Partia ku bashkohet Robi [Jenrick] ka pikturuar veten në një qoshe, pasi vuri shpresat te qasja te Trumpi dhe tani detyrohet të shtiret sikur ka një distancë. Ja, edhe Brexit-i është kolonizuar. Jashtë Bashkimit Evropian, sipas mendimtarëve të djathtë, e vetmja shpresë është marrëveshja me Amerikën - një logjikë të cilën edhe Keir Starmer e ka përtypur, duke ndjekur përputhjen rregullatore për të ardhmen e inteligjencës artificiale.

Dikush dyshon se, për gjithë urrejtjen e laburistëve për Elon Muskun, ata nuk do ta ndalojnë kurrë Twitter-in, sepse Trumpi me shumë gjasë do të vendoste sanksione.

Nuk duhet ta shohim presidentin si joamerikan, siç e quajnë disa amerikanë të turpëruar, por si presidentin më amerikan deri sot - domethënë, liberalin përfundimtar.

Demokratët dhe republikanët, edhe pse nuk pajtohen për politikat praktike, të dy palët tërhiqen nga tradita filozofike e liberalizmit, e rrënjosur në dashurinë për lirinë individuale dhe çlirimin e pasioneve personale. Trumpi do diçka, prandaj e bën. Kjo është ajo që nënkupton liberalizmi - dhe na ka infektuar edhe neve.

Kjo është arsyeja pse në Mbretërinë e Bashkuar martesa dhe lindjet janë jashtë mode, kishat janë bosh, dhe emisioni ynë më i ndjekur në TV përfshin tradhtarë që vrasin besnikët për para (“po luan mjeshtërisht”, thonë ata, sikur marrëdhëniet njerëzore të ishin një sport konkurrues).

Nëse Britania është e thyer - dhe një vend ku shifrat e fundit tregojnë 299 614 aborte në vit, 40 për një buzë ose qiellzë të çarë, është me siguri vend i thyer - kjo është sepse miliona vetë kanë zgjedhur të maksimizojnë lirinë dhe pasurinë e tyre me koston e solidaritetit shoqëror.

Kanadaja e vjetër e John Diefenbakerit, pohonte Granti, ishte ndryshe sepse kombinonte paternalizmin konservator të Anglisë me etikën e katolicizmit francez, që thoshte se “virtyti duhet të vijë përpara lirisë”. Por, këto janë zhdukur, dhe Granti përfundoi se zhdukja e tyre ishte e pashmangshme, sepse asnjë komb nuk mund të rezistojë ndaj fuqisë së Amerikës apo tundimit të individualizmit.

Liberalizmi përfundon, nëse jo në një qeveri botërore, atëherë në një botë që duket njësoj. Çfarë hanë japonezët për Krishtlindje? KFC.

Kjo është arsyeja pse e shoh luftën tregtare për Grenlandën me shqetësim dhe, për fat të keq, pesimizëm. Po, Trumpi duhet kundërshtuar. Është çështje dinjiteti.

Mirëpo, derisa ne evropianët të shkëputemi nga Amerika - jo vetëm ushtarakisht apo ekonomikisht, por në aspektin psikologjik - ne vërtet nuk mund të funksionojmë pa të dhe do të dorëzohemi gjithmonë. Ajo na ka dominuar për një kohë të gjatë; kemi filluar ta kuptojmë vetëm kur perandoria që dikur nxiste investime ka nisur t’i thithë ato përsëri, një fenomen i cili, prapëseprapë, nuk është i veçantë për Trumpin. Joe Biden përdori subvencione dhe lehtësime tatimore për të rikthyer vendet e punës në ShBA, larg kontinentit.

Ironia është se ekzistojnë tradita të tjera, më të buta, të politikës amerikane, por ato gjithmonë janë hedhur poshtë nga evropianët si naive ose të rrezikshme, sepse nuk do të financonin mbrojtjen tonë: ajo libertariane midis republikanëve, ajo socialiste midis demokratëve. Sikur të kishim pasur president Ron Paulin apo president Bernie Sandersin, Grenlanda do të mbetej e paprekur. /Telegrafi/

true