Bllokohet rruga drejt deponisë së Sferkës, KRM “Ambienti”: Preken 220 mijë banorë
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti” ka njoftuar se është bllokuar procesi i shkarkimit të mbeturinave në deponinë sanitare të Sferkës, duke prekur shërbimet për rreth 220 mijë banorë në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit të kompanisë, disa banorë kanë protestuar sot dhe kanë bllokuar rrugën nëpër të cilën kalojnë automjetet e kompanisë drejt deponisë sanitare, duke pamundësuar shkarkimin e mbeturinave.
Si pasojë, kamionët e KRM “Ambienti” kanë mbetur të pashkarkuar, ndërsa është penguar edhe mbledhja e mbeturinave në itineraret e planifikuara.
Kompania ka bërë të ditur se rruga vazhdon të mbahet e bllokuar nga protestuesit, duke vështirësuar më tej ofrimin e shërbimeve.
KRM “Ambienti” ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe organet kompetente që të ndërhyjnë për zhbllokimin e rrugës, në mënyrë që të mundësohet vazhdimi normal i shërbimeve të grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.


