Please enter at least 3 characters.

Blero kalon në sport, merr në menaxhim një futbollist të ri

Këngëtari i njohur shqiptar, Blero, ka bërë një hap të ri dhe të papritur në karrierën e tij, duke hyrë në botën e sportit si menaxher futbolli.

Ai ka marrë nën menaxhim talentin e ri premtues, Enis Berisha, një lojtar i cili tashmë është pjesë e agjencisë MarsProAgency.

Falë angazhimit dhe përkushtimit të Bleros dhe ekipit të tij, Enisi ka realizuar një transferim të rëndësishëm te klubi kroat Slaven Belupo, që garon në Superligën e Kroacisë, duke hapur rrugën për një karrierë të suksesshme në arenën ndërkombëtare.

Blero ka theksuar se ky hap nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin korrekt dhe profesional me FC Prishtinën, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe besimin që i është dhënë gjatë gjithë procesit.

“Urime Enis Berisha! Të presin suksese të mëdha dhe një karrierë e artë në futboll. Shkëlqe gjithmonë”, ka shkruar ai në postim.

Ky veprim tregon se artisti nuk kufizohet vetëm në muzikë, por është gati të sfidojë veten edhe në fusha të tjera, duke sjellë energjinë e tij edhe në sport.

Sa i përket asaj nëse do të vazhdojë akoma me muzikë, pritet të shihet në vazhdim. /Telegrafi/